Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se nesër do të dalë me vendimin lidhur me ankesat që ka pranuar nga partitë politike kundër vendimit të KQZ-së, për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidateve.

“PZAP-i do t’ju informojë në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do t’i marrë lidhur me apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve. Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me datë 26 janar 2021”, thuhet njoftimin e PZAP.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor thotë se do të veprojë në përputhje me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat e subjekteve politike për moscertifikimin e listës së kandidatëve të tyre.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

“KQZ është duke pritur shqyrtimin dhe vendimin e PZAP-së lidhur me ankesat të cilat janë paraqitur në këtë institucion. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së si dhe Gjykatës Supreme”, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten nuk certifikoi listat e kandidatëve për deputetë, listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe disa partive tjera të komuniteteve jo-shumicë.

Këto parti të shtunën dorëzuan ankesat e tyre në PZAP.