Qalaj kërkon nga Sveçla të raportojë në Kuvend për kërcënimet e deputetëve

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të raportojë në Kuvend, lidhur me kërcënimet ndaj deputetëve të cilat sipas tij janë serioze.
Deri tash është raportuar se lidershipi i LDK-së dje ishte informuar nga autoritetet gjermane të ministrisë së Punëve të Brendshme se planifikohej një atentat ndaj tyre. Më pas, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se cak i një atentati të mundshëm ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të tjerë të LDK-së, Avduallah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Një grup shqiptarësh që jetojnë jashtë Kosovës kishin rënë në përgjimin e policisë gjermane, teksa kanë qenë duke folur për realizimin e disa vrasjeve politike në Kosovë. Organizatori i atentatit është raportuar se në shënjestër kishte edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe deputeten e kësaj partie Ganimete Musliu.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Qalaj tha se kanë nevojë të marrin informata lidhur me ato kërcënime ndaj të zgjedhurve të popullit.
“E kam një kërkesë për ministrin e Punëve të Brendshme që në seancën e radhës të vjen të na raportojë, atë çka mundet të njoftojë për kërcënimet që kemi dëgjuar për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilat kërcënime janë serioze. Kemi nevojë që si deputetë të marrin informata ato që mund të jepen në lidhje me këto kërcënime”, tha ai.
Për këto kërcënime foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi nga organet e rendit dhe të drejtësisë që t’i hetojnë ato.
“Ne i dënojmë ato kërcënime dhe një gjuhë të tillë. Kërkojmë nga organet e rendit dhe të drejtësisë që t’i hetojnë këto dhe t’i kapin ata që bëjnë veprime të tilla”, theksoi Konjufca.
Këto deklarime u bënë gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional, i cili do të mundësonte tërheqjen e mjeteve nga Trusti deri në 30 për qind.
Diskutimet lidhur me këtë çështje ende nuk kanë përfunduar, ndërkohë, deputetët e Kuvendit shkuan në pauzë deri në orën 15:30.
Murati: Opozita po synon ta shkatërrojë sistemin pensional si Serbia
Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se me Projektligjin që mundëson tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit opozita po synon që të shkatërrojë sistemin pensional.
“Po thuhet është nismë e qytetarëve, qytetarët e kanë votuar edhe Qeverinë tonë me 50.2% por çka po synohet këtu me këtë nismë është shkatërrimin e sistemit pensional, sepse kjo tanimë është thënë nga deputetë të opozitës, synimi është që të merren këto 30%, pastaj edhe 30% të tjera dhe të shkatërrohet sistemi e të kalojmë në sistemin ku gjenerata kontribuon për gjeneratë. Pra gjenerata aktuale që kanë kontribuar duhet të vazhdojnë të kontribuojnë edhe për gjeneratat e tjera të paguajnë dyfish, për shkak se dikujt iu ka tekë me e shkatërruar sistemin. Ne e kemi pasur një sistem pensional të cilin na e ka shkatërruar Serbia dhe i ka marr fondet, tash edhe opozita po do ta shkatërrojë këtë sistem që mesi e kemi ndërtuar, ky është synimi”, është shprehur Murati.
Konjufca: Mendimi im dhe i kryeministrit është se Ivanoviqi është kriminel
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se mendimi i tij dhe i kryeministri për Oliver Ivanoviqin është i njëjti dhe ai që ka qenë gjithmonë.
Sipas tij, Ivanoviq është dënuar dhe është kualifikuar me kategorinë e kriminelit që është edhe mendimi i tij dhe Kurtit.
“Mendimi im dhe i kryeministrit është i njëjti mendoj unë ai që ka qenë gjithmonë, asgjë nuk mund ta ndryshoj biografinë që e ka pasur politike zotëri Ivanoviq përgjegjësia e tij me të gjitha ato dëme që i janë shkaktuar popullit tonë është evidente dhe për këtë edhe është dënuar ai. Ne kemi thënë hapur dhe e kemi quajtur me emrin që i përket një njeriu i cili bënë veprime të tilla dhe ai është dënuar dhe është kualifikuar me kategorinë e kriminelit kështu që është edhe mendimi jonë…Po po kriminel pa kurfar dyshimi tash asgjë nuk mund t’i heq kësaj që e ka vendosur edhe gjyqësia e Kosovës kështu që ne kemi thënë shumë më përpara se sa ta vendoste gjyqësia e Kosovës”, ka thënë ai.
​Kusari-Lila e ashpër me kritika karshi opozitës
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me tone të larta ka kritikuar deputetët opozitar.
Ajo iu kundërpërgjigj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se gjendja në veri është jonormale, për çka Kusari-Lila përmendi disa nga veprimet gjatë qeverisjes aktuale.
“Nga kjo foltore u tha se për herë të parë janë ndal zgjedhjet në Kosovë të mbahen në komunat serbe apo janë shtyrë më lejoni t’iu rifreskoj se për herë të parë është ndal referendumi serb në Kosovë se për herë të parë janë ndal zgjedhjet serbe të Republikës së Serbisë në Kosovës dhe se për herë të parë është pamundësuar Lista Serbe të ketë një fitore të pakontestueshme në katër komunat në veri të vendit. Për herë të parë ka pluralizëm politik në mes të komunitetit serb për herë të parë ka të tjerë që dalin kundër propagandaës së Vuçiqit…Po thoni që veriu nuk është normal po sepse veriu nuk ka pas normalitet kurrë kur udhëhiqet dhe posi i veriut është Milan Radoiqiqi e Zvonko Veselinoviqi. Kur Zvonko Veselinoviqie Millan Radoiqiqi janë pritur në zyre të qeverisë e në anën tjetër kanë persekutuar jo vetëm njerëzit e vetë po krejt çka është e mundur në keqpërdorim e në krim e kriminalitet. Kur kjo iu pamundësua atyre gjithë ky reagim. Ku është reagimi për të thënë se ne nuk ulemi dhe të bisedojmë me kriminel”, u shpreh ajo.
Sa i takon akuzës së Abdixhikur se opozita nuk kishte marr pjesë në komisionin hetimor për energji ku ishte i ftuar për raportim ambasadori Martin Berishaj, Kusari-Lila tha se kjo nuk qëndron para pozita e ka mundësuar mbajtjen e mbledhjeve të këtij Komisioni.
“Pozita nuk e ka parandaluar punën e komisionit, pozita e ka mundësuar, pa pozitën nuk keni mundur asnjë mbledhje të vetme me e mbajtur sepse nuk keni pas kuorum”, u shpreh ajo.
Muja kërkon që deputetët të mos e votojnë tërheqjen nga Trusti
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se propozimi për tërheqjen e trustit është i dizajnuar që t’i ndihmojë shtresës së lartë dhe të mesme të lartë, por se nuk e lufton inflacionin e rrezikon ta bartë inflacionin te shtresa e ulët.
Ai ka thënë se debati duhet të zhvillohet se çka duhet të bëhet për 700 mijë qytetarë që nuk punojnë asgjë.
Ka theksuar se nuk e rekomandojnë tërheqjen dhe ka kërkuar nga deputetët të mos e votojnë.
Haxhiu-deputetëve për Trustin: Do të deklaroheni nëse do ta dëgjoni popullin apo Kurtin e Kusari-Lilën
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i cili do të mundësonte tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti.
“Ju sot para se ta ngrini dorën pro ose kundër duhet të ktheheni prapa dhe të shihni se pse qytetarët po e kërkojnë tërheqjen e trustit. Po iu rikujtoj se buka ishte 30 cent sot është 60 cent …. Ka shtrenjtim eneorm të çmimeve të produkteve elementare dhe jeta është vështirësuar edhe më shumë. Këto ngritje të çmimeve e kanë rënduar jetën e qytetarëve dhe të çdo familjeje”, ka theksuar Haxhiu, derisa e ka arsyetuar Projektligjin para deputetëve në seancën që po mabhet të enjten.
Sipas tij qytetarët janë detyruar të hyjnë në borxhe. “Nga 4.2 miliardë kredi në Kosovë, 1.5 janë kredi të reja. Qytetarët u detyruan të futen në borxhe për të marrë kredi për të blerë dru dhe për ta financuar koston e jetesës. Kërkesa e qytetarëve është që të mbështetët iniciativa e tyre për tërheqjen e trustit”, është shprehur Haxhiu.
Sipas tij kryeministri Albin Kurti, në të kaluarën ka deklaruar se popullit duhet të pyetet për çdo gjë.
“Prandaj kolegë nëse në këtë foltore në të kaluarën kryeministri Kurti deklaroi si opozitar se populli duhet të pyetet për çdo çështje, populli ka folur. Tani është në dorën tuaj të dëgjoni popullin apo këshillimet politike. Ju ftoj që vërtetë ta dëshmoni veten si përfaqësues të qytetarëve. Kërkoj unitet të plotë në emër të qytetarëve. Keni me u deklaruar a keni me dëgjua qytetarin apo Mimoza Kusarin e Albin Kurtin”, ka deklaruar Haxhiu.
​Deliu: Kurti të kërkojë falje për deklaratat për Ivanoviqin
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti që të kërkojë falje për deklaratat e tij për ish-politikanin serb të Kosovës të vrarë, Oliver Ivanoviq.
Ajo tha se kjo çka ka bërë Kurti është fryje e rëndë për viktimat dhe familjet e tyre, po ashtu edhe për institucionet që mundësuan përballje e Ivanoviqin me drejtësi për krimet në veri.
“Kjo që ka bërë Kurti është fyerje e rëndë për viktimat, fyerje e rëndë për familjet e tyre, për institucionet që mundësuan përballjen e tij me drejtësi, dekurajim për secilin që angazhohet për drejtësi për viktimat për të dënuar përgjegjësitë, fyerje për secilin nga ne në sallë që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës… Kryeministri Kurti ka bërë gabim të madh e të pafalshëm. Për një gjë të tillë besoj nuk pajtohet as kryetari i Kuvendit, sa për presidenten e kemi parë qartë se çfarë mendon. Kërkojmë kryeministri të kërkojë falje publike e të distancoheni kolegë nga deklaratat”, tha ajo.
VV i përgjigjet akuzave për Berishajn: PDK-ja e ka pruar kompaninë GEN në Kosovë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e ka sjell kompaninë të ashtuquajtur serbe, GEN në Kosovë.
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për rastin e ambasadorit Berishaj, Muja tha se kontratat e para me kompaninë GEN, kanë filluar në vitin 2008, derisa ato të fundit të nënshkruara nga Njazi Thaçi, në vitin 2020.
“Ajo çfarë ne e dimë është se kompania e ashtuquajtur serbe, GEN ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008, kurse kontratat e fundit i kemi nënshkruar në vitin 2020, këto i ka nënshkruar Njazi Thaçi. Pra, e ka pruar PDK-ja GEN-in këtu. E dyta, ne e bëmë një komision hetimor për energjinë, për mua ishte e befasishme paraqitja e zotëri Berishaj para komisionit hetimor, gjithë ato përshëndetje, lëvdata para njëri-tjetrit pa pyetje. Kjo ishte e turpshme. Cilat ishin gjetjet e komisionit hetimor, asgjë”, tha ai.
Madje, Muja kërkoi që të krijohet një komision hetimor për ish ambasadorin Akan Ismaili, i cili sipas tij, është gjetur me katër milionë franga të padeklaruara.
“Por meqenëse po dashka komision hetimor për ambasadorët, unë propozoj që të kemi një komision hetimor për katër milionë franga të padeklaruar nga ish ambasadori Akan Ismaili, në kuadër të skandalit “CreditSëis”. Ai ka qenë ambasadori dhe nuk i ka deklaruar aty, kjo është relevante se ka qenë po ashtu operator i Bentel Enka që kanë bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviq. Edhe për mua po më intereson a ka pas ndonjë skandal aty”, shtoi ai.
Partitë opozitare kërkojnë përgjigje nga Kurti për ambasadorin Berishaj
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se me çështjen e Martin Berishajt po bëhet skandal dhe se Qeveria nuk po guxon ta trajtojë atë.
“Ka disa muaj që kjo Qeveri nuk po ka guxim ta trajtojë një virus të dëmshëm për shtetin. Ambasadorin Martin Berishaj. Qe 273 ditë për 9 muaj raportimet kanë ardhur duke u shtuar, akuzat duke u ngritur e duke gjetur rrugë deri te kryeministri e Lëvizja Vetëvendosja.”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se sesioni i ri i Kuvendit po nis me më shumë paqartësi e skandale se ai paraprak. Ai ka folur për situatën në veri duke theksuar se Kosova nuk ka pasur kurrë më pak sovranitet e ligjshmëri.
Te ulësja e kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, deputetët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Hajdar Beqa, kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin “ Unë i besoj Martin B€ri$hajt”.
Gazetarët ukrainasë ndjekin nga afër punimet e Kuvendit të Kosovës
Tetë gazetarët ukrainasë sot po e përcjellin nga afër seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.
E prezenca e tyre në sallë u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit.
Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se këta gazetarë po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të programit gazetarët rezident.
Ajo tha se si Kuvend dhe Kosova si shtet, ka qenë përkrah shteti të Ukrainës dhe kjo mbështetje do të vazhdojë tutje.
Nuk futen në rend dite në Kuvend masat emergjente për energji
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të shtohet në rend dite të seancës plenare edhe dokumenti i vendimit për masat emergjente për furnizim me energji.
Mocioni për vendimin e Qeverisë për masat emergjente nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve për të hyrë në rend dite.
Kjo pasi partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimin.
LDK-ja ka thënë se Qeveria ende s’ka dhënë përgjigje për pyetjet që deputetët ia kanë parashtruar.
Kurse, Ferat Shala i PDK-së ka thënë se nuk do të flasin për kërkesën e Qeverisë pa marrë përgjigje mbi shfuqizimin e rregullores së investitorëve strategjikë.
Edhe AAK-ja nuk i ka dhënë mbështetje propozimit.
Nis seanca e Kuvendit, pritet të shqyrtohet nisma për TRUST-in
Ka nisur seanca e re e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është dhe shqyrtimi i parë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar.
Me ndryshimet, mundësohet që qytetarët t’iu lejohet tërheqja deri në 30% e mjeteve të Trustit.
Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, dhe shqyrtimi i raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Tërheqja e Trustit shqyrtohet sot në Kuvend
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë të re e cila pritet të fillojë në ora 10:00. Përpos pikave të zakonshme që janë dekalrimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, do të shqyrtohen edhe katër pika të tjera.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, ose siç njihet gjerësisht si mundësia për lejimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit nga qytetarët e Kosovës.
Partitë opozitare kanë shprehur vullnetin që të votojnë pro kësaj ideje, e cila erdhi pas nënshkrimit të peticionit. Mirëpo, rezerva ka nga partia më e madhe parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, që është kundër.
Shumica e deputeteve të grupit parlamentar multietnik, në koalicion me Lëvizjen, do të votojnë pro tërheqjes se Trustit. Këtë e phoir depuetetja Dude Balje, që ajo vetë garantoi votën “pro”.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, pastaj shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021.
Pikë tjetër që pritet të ngjallë debat mund të jetë edhe shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3.Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-178 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116,
5. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,
6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021,
7. Shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Back to top button