Qarkullonte me automjet, me lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari

Një 27 vjeçar u arrestua në Fier, sepse u kap me lëndë narkotike kanabis.
Siç informoi sot Policia, të arrestuarit iu gjetën edhe 435. 000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale, të cilët u sekuestruan, së bashku me dozat e kanabisit dhe me pajisjet për gjenerimin e kriptomonedhave.
“Shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencë informative se një shtetas shiste lëndë narkotike dhe gjeneronte në mënyrë të kundërligjshme kriptomonedha, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeti”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: – H. M., 27 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në doza, gati për shitje, si dhe 435 000 lekë të rinj, të dyshuar të përfituar nga shitja e lëndës narkotike.”, u bë e ditur në njoftim.
Në vijim të operacionit “Rrjeti”, siç bëri të ditur Policia e Shtetit, u ushtrua kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën dhe u sekuestruan pajisje për gjenerimin e kundërligjshëm të kriptomonedhave, një laptop dhe 2 aparate celulare.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme./21Media

Back to top button