​Qelaj tregon se kanë nisur hetimin për rastin e vrasjes së Hamide Magashit

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në konferencën e fundvitit ka folur edhe për rastet e vrasjeve të grave, ku ka njoftuar se ka filluar hetimi për rastin e vrasjes së 35-vjeçares, Hamide Magashi.
“Ne kemi filluar hetimin për rastin e vrasjes në QKUK. Ka qenë një rast tragjik që ndoshta duke marrë parasysh aspektet në të cilat ka ndodhur, ka detyruar të gjitha autoritet që të reflektojnë mbi politikat dhe masat që po marrin dhe qasjes që kanë në raport me këtë fenomen. Pas përfundimit të hetimit do të dalim me raport me rekomandime, ku në mënyrë të përgjithshme dhe të plotë do të paraqesim qëndrimet tona. Po ashtu, jemi në përfundim të hetimit të rastit të dhunimit të rastit të 11-vjeçares, hetimet preliminare kanë treguar për një sërë lëshimesh dhe të metash që janë evidentuar nga këto hetime”, ka deklaruar Qelaj.
Qelaj tha se pa fuqizimin e gruas, nuk do të ketë përmirësim të pozitës së saj në shoqëri dhe dhunës në familje.
Ai ka folur edhe për gjendjen e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, ku tha se nuk është e mirë dhe kanë bërë hetime për shëndetin riprodhues dhe seksual. Këtu ka përmendur edhe rastin e foshnjës së vdekur nga Peja, e cila ishte futur në lavatriçe.
“Gjendja është alarmante, është jashtëzakonisht shqetësuese dhe keq duke filluar prej mungesës së informacionit dhe edukim, pastaj trajtimi i padinjitetshëm dhe me paragjykime, mungesa e shërbimeve të përshtatshme, furnizimi jo i rregullt me medikamente dhe lista esenciale, keqmenaxhimi i këtyre medikamenteve deri te mungesa e të dhënave për numrin e aborteve. Kjo ndërlidhet edhe me rastin që është raportuar dje nga mediat për një trajtim të padinjtetshëm të një fëmiu të vdekur, dhe nëse ky rast vërtetohet që ka ndodhur në këto rrethana pa dyshim paraqet jo vetëm shqetësim, brengë të theksuar të Avokatit të Popullit dhe do të reagojmë me kohë duke e hetuar”, ka përfunduar Qelaj.
Avokati i Popullit ka deklaruar se qeveria deri më tani nuk ka reflektuar që në përputhje me kushtetutën të zgjidh çështjen e martesave të personave të gjinisë së njëjtë. Qelaj tha se pret që kjo çështje të merr epilog dhe të njeh të drejtën e martesës për këta persona.

Back to top button