Qendrat e punës sociale ballafaqohen me mungesë të punëtorëve

Qendrat për punë sociale në Kosovë ballafaqohen me sfida të shumta, por më sfiduese mbeten numri i vogël i zyrtarëve socialë, mos-pagesat e kujdestarive si dhe mos-pagesa e rrezikshmërisë. Këto të fundit nuk kanë hapësira që ofrojnë qasje për të gjithë, madje nevojiten edhe fonde emergjente për të forcuar shërbimet emergjente. Kështu u tha nga udhëheqësit e qendrave për punë sociale në takimin e mbajtur me Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale gjatë një tryeze me temën “Puna, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale”.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi tha se nuk po zbatohet në asnjë qendër në Kosovës standardi i punës sociale, sipas tij zyrtarët socialë janë të stërngarkuar pasi siç tha ai, ka mungesë të tyre.
Ai tha se nga situata dhe presioni që kalojnë shpesh e mendojnë ta lënë edhe punën, derisa ngriti shqetësimi se këtyre zyrtarëve nuk po u paguhet rrezikshmëria në punë.
Zymberi e ka mirëpritur propozim që këto qendra të kalojnë nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, pasi shpreson se ndoshta do të mund të gëzojnë buxhet dhe kushte më të mira.
“Në Qendrën për Punë Sociale nuk merret parasysh numri i banorëve të një qyteti me numrin e zyrtarëve për shërbime sociale sepse tek e fundit shërbimet e asistencës teknik dhe mund ta kryej kushdo prej zyrtarëve, por shërbimet profesionale që kërkojnë përgatitje dhe trajnime dhe shkollim neve ne të gjitha QPS-të jemi duke punuar jashtë çdo standardi. Një zyrtar në QPS do të duhej t’i mbërrijë 5 mijë banorë, me iu dhënë shërbime cilësore, derisa në shumë qendra operon një zyrtar i shërbimeve sociale, i cili ka më shumë se 20 mijë banorë për të cilët përkujdeset. QPS në Gjilan ka për momentin 5 zyrtarë në shërbimet sociale profesionale, derisa Gjilani numëron më shumë se 100 mijë banorë… Besoni ose jo, ne funksionojnë si udhëheqës të qendrave nën ethe se a po eskalon apo po pëlcet një informatë sonte, nesër apo pasnesër, ngase vetëm fenomeni i dhunës në familje sa duhet me iu përkushtu fëmijëve na lë në ethe se kur mund të ndodh edhe një rast tjetër”, u shpreh ai.
Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale në Kosovë, Blerim Shabani adresoi disa nga ndryshimet ligjore që duhet bërë me qëllim që të ofrohen shërbime cilësore sociale.
Theksin e vuri edhe tek Projektligji për zyrtarët publikë, i cili ndodhet në Kuvend, për çka kërkoi që zyrtarët socialë të gëzojnë status të veçantë.
Ai kërkoi që për QPS-të të sigurohet grant specifik për raste të veçanta.
“Ligjin e kemi të vitit 2003 ndërsa kontekstet jonë ka ndryshuar bukur shumë përfshirë edhe nevojat, koncepti i familjes ka evoluar dhe ne duhet që këtë çështje ta adresojë minutë e më parë. Ka pasur disa iniciativa për një grup punues për hartimin e ligjit të ri por nuk e di se ku ka mbetur dhe ato kriteret të karakterit diskriminues siç janë mosha 5 vjeç, siç janë aktvendimet dhe aktgjykimet për rastet e nënave që janë në procedurë të ndarjes e shkurorëzimit që janë pengesë, pengesat për viktimat e dhunës në familje e shumë pengesa që janë bukur diskriminuese për familje që kanë bukur nevojë… Ajo çka ne kemi shprehur shqetësim në të kaluarën edhe po e rivazhdojmë si shqetësim ndarja apo fragmentimi i departamentit të politikave sociale dhe familjes, e kemi promovuar idenë që të shkojë në Ministri të Drejtësisë, kudo që të shkojë, të shkojë bashkë… Diku 230 është numri i rasteve aktive në menaxhim të një zyrtari të shërbimeve sociale, kjo me të vërtetë jo vetëm që tejkalon limitet e tavanit por është pesëfishi i asaj që thonë standardet ndërkombëtare, pastaj kur vjen çështja e kërkimit të kualitetit, ne vërtet e kemi problem sepse edhe vetë jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta sigurojmë me këtë volum të madh të punës dhe me këtë kapacitet të vogël të njerëzve dhe resurseve”, theksoi ai.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi tha se si qendër kanë një hapësirë e cila nuk ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara, por sipas saj, problematike mbetet edhe numri i vogël i punëtorëve.
Ajo shprehu shqetësimin edhe për mospagesat e kujdestarive për punëtorët e kësaj Qendre.
“Ferizaj është një komunë në rritje ku ka mbi 108 mijë banor dhe momentalisht jemi me 8 punëtorë në QPS, 5 punëtorë janë në shërbime sociale që nëse i kalkulojmë me numrin e banorëve i bie mbi 21 mijë banorë me i trajtua kështu që sa i përket asistencë sociale i kam vetëm 3 punëtorë… Fatkeqësi është që ende nuk paguhet kujdestaria, ju po e shihni që volumi i madh i rasteve të dhunës të fëmijëve të keqtrajtuar të problemeve të ndryshme sociale është në rritje kështu që detyrohen punëtorët socialë të dalin dhe të kujdestarojnë edhe në orët e vona dhe asnjëherë nuk janë kompensuar për pagesën e kujdestarisë, shqetësim i QPS-së është që punojnë në një objekt që nuk është aspak i përshtatshëm nuk ka qasje për personat me aftësi të kufizuara që është jashtëzakonisht shqetësuese. Ende nuk kemi një roje apo sigurim dhe ju e dini që çdo ditë ballafaqohemi me rrezikshmëri”, theksoi ajo.
Ndërsa, kritika për Ligjin për zyrtarët publikë pati drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Jugut, Gani Mustafa i cili specifikisht kërkoi që neni 46 i këtij projektligji të ndryshohet.
“Tek Projektligji për zyrtarët publikë, një nen që është shumë diskriminues edhe tendencioz, neni 46 nëse miratohet si i tillë do t’i privojë zyrtarët nga pavarësia e tyre profesionale nuk promovon stabilitet institucional dhe më e keqja është se secili kryetar komune apo secila parti që vjen në pushtet ka ardhur kryetari vetë i 16-i, duhet me ardh vetë i 100-të”, u shpreh ai.

Back to top button