Qeveria amerikane mbulon shpenzimet e strehimit të afganëve në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim online me përfaqësues të dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar situatën humanitare në Afganistan. Ky takim u organizua nga zëvendës sekretarja e Shtetit amerikan, Wendy R. Sherman dhe nën sekretarja e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.
Në emër të qeverisë amerikane, Sherman dhe Nuland shprehën vlerësimin e tyre për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sherman tha se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane.
Në mbledhjen saj të 26-të, Qeveria ka marrë vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në komunikim të vazhdueshëm në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre./21Media