Qeveria do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar në nderim të aktorit Bekim Fehmiu.

Familjarë e miq të aktorit, përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe komunitetit artistik të Kosovës u mblodhën në Kino Armata në kryeqytet, për të shënuar datëlindjen e 85-të të aktorit.

Kurti vlerësoi figurën e Bekim Fehmiut, si një nga figurat qendrore të identitetit tonë kulturor.

“E ndiej si obligim edhe personal edhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut. Duke e mbrojtur figurën e tij, ne e nderojmë kombin dhe në të njëjtën kohë i promovojmë vlerat tona kulturore në botë”, tha  Kurti.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e kulturës, me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut.

“Të frymëzuar nga vepra dhe suksesi i tij ndërkombëtar, duke u kujdesur për figurën e tij, do të ngrisim edhe krijimtarinë filmike në nivelin më të lartë të prioritetit shtetëror”, shtoi ai.

Bekim Fehmiu, me talent të rrallë artistik, pati një karrierë të spikatur me mbi 40 filma, me filmin “Mbledhësit e puplave” që mori dy çmime në Festivalin e Filmit në Kanë dhe nominim për Oscar, luajti në tetë seri televizive, duke veçuar mini-serinë e njohur “Odyssey” dhe shumë shfaqje teatrore të cilat përshkuan gjithë Evropën, në veçanti edhe Hollywood-in./21Media

Back to top button