Qeveria e Kosovës: Në asnjë rast nuk i kemi kushtëzuar zgjedhjet në veri

Përfaqësues të partisë në pushtet thonë se qeveria e Kosovës është e gatshme të iu përmbahet të gjitha marrëveshjeve për të arrituar në një deeskalim të situatës në veri. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkimit Evropian thonë se qeveria e Kosovës është e obliguar që t’i shpallë sa më shpejtë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Ndonëse, Lëvizja Vetëvendosje po insiston në heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian për të shpallur më pas zgjedhjet e reja në veri, deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli thotë se qeveria e Kosovës në asnjë moment nuk i ka kushtëzuar këto zgjedhje. Ai fajëson palën serbe për refuzim të bashkëpunimit në shtensionim të situatës.

“Duhet të ceket se qeveria e Kosovës është konstruktive, e përgjegjshme në të gjitha marrëveshjet dhe është e gatshme që të iu përmbahet. Pala serbe deri tani ka tregu që dëshiron destabilitet, dëshiron që marrëveshjet të mos respektohen. Andaj BE-ja këtë radhë duhet të gjejë metoda që ta bind palën serbë që të mos jetë kaq destruktive. Në zgjedhjet e RKS, Serbia nuk mund të kushtëzojë, ajo duhet që të disciplinohet dhe t’i tërhiqet vërejtja seriozisht nga BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Ne nuk kushtëzojmë, ne vetëm po duam që të iu përmbahemi atyre që kemi bisedu pra zëvendës kryeministri me emisarin Lajcak”, tha Dugolli.

Bashkimi Evropian përsëriti shqetësimet për tensionet në veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të dy palëve që ta kthejnë qetësinë në veri. Brukseli zyrtar po ashtu kërkoi shalljen sa më të shpejtë të zgjedhjeve për katër komunat në veri.

“Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike për depërshkallëzimin për të dyja palët. Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm. BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale”.

Analsitët politikë vlerësojnë se kushtëzimet e të dyja palëve për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, sinjalizojnë mosgatishmërinë e tyre për zgjedhje të reja. Në këtë kontekst Arbnor Sadiku përmend hezitimin e kryeministrit Kurti për ta formuar Asociacionin.

“As qeveria e Kosovës dhe as Lista Serbe nuk janë të pregaditura.  Në rast se bëhen zgjedhjet në veri do të kërkohet nga Bashkësia Ndërkombëtare që të krijohet Asociacioni, dhe ky Asociacion do të jetë thembra e Akilit për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij, pas iqë dihet ai ka qenë sa ishte inë opozitë kundërshtari më i madh i tij. Kjo neglizhencë në veriun e Kosovëse shpërfaq  edhe njëherë fuqinë e ndërmjetësuesve të Unionit Evropian sic është Lajcak dhe Borrell. Kryetarët duhet të shpallin dorëheqjen e tyre dhe të krijohet mundësia që të kemi zgjedhje të reja sipas formës kushtetuese dhe në anën tjetër mund të kemi një peticion të 20% të qytetarëve dhe me atë peticion ata do të detyrohen t’i lëshojnë zyret”, tha Sadiku.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale./21Media

Back to top button