Qeveria e re nuk e dëshiron Nikollovskin

Dimitrov: Procedura për Ambasador në Bruksel do të ndërpritet

Kabineti i ri qeveritar në Maqedoni  nuk e dëshiron emërimin e Aleksandar Nikollovskit për ambasador të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, me arsyetimin se ai është kandidat partiak. Ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov këtë pasdite nga Sofja porositi se procedura për emërimin e tij në këtë pozitë do të ndërpritet. Ai thotë se në Maqedoni duhet të marrë fund folklori partiako-politik.

“Duhet të ndërpriten përpjekjet për të dërguar ambasador-politikan, ose para mbajtjes së zgjedhjeve të fillohet procedurë për dërgimin e dikujt për ambasador, i cili është politikan. Logjika që të dërgohet dikush të cilin politikisht e ke të afërt sidomos në ndonjë qendër të madhe, është që ai të punojë për ju, derisa jeni në pushtet. Këto gabime ne i kemi bërë disa herë dhe mendoj se duhet të merremi vesh si shoqëri dhe si sistem politik që kjo gjë të marrë fund”, tha Dimitrov, shkruan TV21.TV

Por, kandidati për ambasador të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Aleksandar Nikolloski thotë se në zgjedhjet e fundit nuk ka kandiduar për deputet dhe se është tërhequr nga të gjitha funksionet në Asamblenë Parlamentare pranë Këshillit Evropian, si dhe nga të gjitha funksionet partiake, vetëm e vetëm që të emërohet në këtë funksion. Sipas Nikolloskit, përgjigjet rreth emërimit të tij qëndrojnë në Kushtetutën e Maqedonisë dhe në ligjin e punëve të jashtme, duke shtuar se ato duhet të respektohen.

“Konsideroj se për këtë temë të rëndësishme diplomatike nevojitet koordinim dhe harmonizim ndërmjet Kryetarit të Republikës së Maqedonisë, kryeministrit, ministrit të punëve të jashtë dhe meje si ambasador. Në këtë mënyrë do ta kursenim publikun nga akuzat publike, ndërsa denjësisht do të arrinim marrëveshje për interesat dhe imazhin e Maqedonisë në Bruksel”, tha Nikolloski.

Nga VMRO-DPMNE thonë se përgjigjet rreth kësaj çështjeje duhet të kërkohen tek kryeministri dhe kryetari i shtetit.

“Kjo pyetje ka të bëjë me politikën e jashtme ku edhe emërohen ambasadorët dhe me këtë duhet të merret kryetari i shtetit dhe kryeministri. Mendoj se këta më së miri do të përgjigjeshin sa i takon kësaj çështjeje”, tha Trajko Veljanovski.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov, por nga atje nuk morëm asnjë përgjigje. Nikollovski dje u paraqit në Komisionin për politikë të jashtme për t’i prezantuar prioritetet e tij si shef i misionit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Për shumicën parlamentare, ky diskutim ishte i pakuptimtë, sepse sipas tyre, nuk ka pasur kuorum. Aleksandar Nikolloski është dashur të emërohet në Bruksel si ambasador i Maqedonisë qysh më 15 janar. Procedura u shty për shkak të krizës politike. Përndryshe, procedurën për emërimin e ambasadorit të Republikës së Maqedonisë e zhvillon ministri i punëve të jashtme, i cili qeverisë i dorëzon propozim për emërimin e ambasadorit. Pas pranimit të propozimit, kryetari i qeverisë e informon kryetarin e shtetit për propozimin në fjalë. Kryetari i shtetit ndërkaq, duhet të prononcohet më së voni 30 ditë pas pranimit të propozimit./21Media

 

Back to top button