Qeveria e vendosur për targat

Qeveria e Kosovës ka këmbëngulur se nuk do të heq dorë nga zbatimi i vendimit për targat i cili fillon më 1 nëntor, pavarësisht nga kërkesat ndërkombëtare. Përfaqësues politikë të Kosovës thonë se nuk ka përplasje me faktorin ndërkombëtar, posaçërisht me SHBA-në por kërkojnë bashkërendim të veprimeve, Zyrtarë serbë ndërkaq duan që çështjen e targave ta rikthejnë në bisedimet në Bruksel.
Kryeministri, Albin Kurti, sot nuk ka preferuar të flas nëse raportet midis Kosovës dhe SHBA-së janë lëkundur pasi që Qeveria nuk i ka dëgjuar këshillat e të dërguarit të posaçëm, Gabriel Escobar. Ky i fundit gjatë vizitës në Prishtinë kërkoi që afati për targat të shtyhet për dhjetë muaj, të cilën kërkesë Qeveria duket se nuk do ta përfillë.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, vlerëson se raportet me SHBA-të janë më të mirat që ka pasur vendi.
“Marrëdhëniet me SHBA-të janë në miqësinë më të mirë të mundshme. Këtë e ka thënë edhe z. Escobar gjatë takimit me kryeministrin Kurti…”, tha Bajqinovci.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kërkon nga pushteti harmonizim me SHBA-të për çdo vendim duke përfshirë edhe atë për targat.
“Kosova nuk e ka luksin me veprua e vetëm, sepse për cdo cështje po kërkojmë përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë. Tash jemi në një momentum ku po diskutohet për marrëveshje finale dhe koncentrimi i Qeverisë duhet të jetë aty…”, tha Kadrijaj.
Harmonizim të qëndrimeve me SHBA-të kanë kërkuar edhe dy partitë opozitare PDK dhe LDK. Qëndrimet e opozitës deputeti i VV-së i quan jo konsistente.
“Zakonisht opozita është shumë e pa koncentruar. Paradite del me deklarata se nuk duhet me leshu pe, pasdite thonë se po rrezikohen marrëdhëniet me SHBA-të…”, shtoi Bajqinovci.
Opozita kërkon po ashtu që çështja e targave të mos diskutohet në procesin e dialogun me Serbinë.
“AAK-ja ka kërkuar që SHBA të përfshihet në dialog. Kemi kërkuar që mos të dërgohet më për cështje teknike sepse kjo Kosovës nuk i konvenon…”, deklaroi Kadriaj.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë kërkuar takim urgjent presidentit të Serbisë për çështjen e targave. Gjatë një vizite në Kosovë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se Beogradi po vazhdon “luftën diplomatike” që çështja  e targave të diskutohet në Bruksel.
“Kjo është ajo që presidenti Vuçiq ka thënë shumë herë, se ne nuk kemi lëvizur asnjë milimetër kur bëhet fjalë për një marrëveshje apo zgjidhje për targat”, tha Petar Petkoviq.
Në këtë kohë tensionesh për çështjen e targave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nesër pritet që të qëndrojë për vizitë dy ditore në Beograd ku do të marrë pjesë në forumin e marrëdhënieve etnike ku pritet të hapet edhe tema e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë./21Media  

Back to top button