Qeveria i jep në shfrytëzim Komunës së Shtimes disa prona
Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i japë në shfrytëzim Komunës së Shtimes disa prona të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Në mbledhjen e kabinetit qeveritar u tha se në këto prona do të ndërtohet objekti i ri i komunës, do të përfundohet projekti i tregut të gjelbër por edhe ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi se pronat e kërkuara nga Komuna e Shtimes janë të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
“MAPL konform mandatit të saj ligjor në këtë mbledhje të qeverisë miratimin e vendimit lidhur me kërkesën e parashtruar nga Komuna e Shtimes për dhënien në shfrytëzim afatgjatë për pronat e menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për investimet strategjike në realizimin e projekteve, ndërtimi i objektit të ri të komunës, përfundimi i projektit të tregut të gjelbër dhe ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së, objektet rekreative sportive, pishina dhe poligone për çiklizëm. Pronat e kërkuara nga Komuna e Shtimes janë të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.