Qeveria: Kemi miratuar rekord projektligje vitin e kaluar

 
Qeveria e Kosovës ka publikuar të dhënat me projektligjet e miratuara ndër vite, duke thënë se viti 2021 paraqet rekord.
“Viti 2021 paraqet rekord për nga numri i projektligjeve të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për 40 javë qeverisje në vitin 2021, kishim 53 mbledhje të Qeverisë, që kanë sjellë 434 vendime, prej tyre 119 projektligje – numri më i madh ndonjëherë i projektligjeve të miratuara në qeveri brenda vitit”, bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë.
Përveç për nga numri rekord, nga Qeveria thonë se kanë shënuar rritje edhe në cilësi, “meqë shumë nga projektligjet janë të bazuara në opinionet e Komisionit të Venecias, që përbën një standard shumë të lartë”.
Tutje në njoftimin e Qeverisë thuhet se në 14 vite për të cilat disponojnë shënime, viti 2021 është viti me numrin dukshëm më të madh të projektligjeve që ka miratuar Qeveria. “Viti i dytë me radhë ka qenë viti 2008, me 89 projektligje të miratuara”, përfundon shkrimi në faqen e Qeverisë së Kosovës në Facebook./21Media

Back to top button