Qeveria merr vendim për shpronësimin e pronave të Damper-it, njësia do t’i kalojë FSK-së

Në mbledhjen e mbajtur sot gjatë ditës, Qeveria ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin e pronës së paluajtshme ish-shoqërore “Ballkan” Njësia Damper.

Ministri i Mbrojtjes, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se kjo njësi do të kalojë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Pas miratimit të Vendimit Nr.02/175 të datës 29.11.2023, Departamenti i Shpronësimit me datë 18.12.2023, ka mbajtur Dëgjimin Publik në Komunën e Suharekës me pronarët e pronave konform Ligjit për Shpronësim dhe ka trajtuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e pronarëve dhe pas plotësimit të kushteve të parapara kemi marrë Vendimin për miratimin e Vendimit Preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të Njësisë Damper”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Aliu po ashtu është zotuar se punëtorëve të fabrikës do t’u kthehet borxhi.

“Duke qenë se Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, me anë të këtij vendimi do të mundësohet edhe kompensimi i të drejtave të tyre”, ka njoftuar ministri Aliu

 

Back to top button