Në Kosovë nuk ka asnjë rast të regjistruar me Fruth, Ramadani: Nuk pritet të ketë ndonjë shpërthim

Në Kosovë nuk ka raste të regjistruara të Fruthit. Kështu ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Gjatë ditës së sotme u raportua se në Shqipëri janë lajmëruar disa raste të infektimit të fëmijëve me Fruth.

Sipas të dhënave të publikuara në media atje, deri më tani janë regjistruar 11 raste. Sa i përket kësaj, Ramadani ka deklaruar se nuk pritet ndonjë shpërthim eventual të sëmundjes.

“Nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë rast sporadik, por nuk pritet të ketë ndonjë shpërthim, për shkak të shkallës relativisht të lartë të vaksinimit të fëmijëve kundër fruthit. ”, ka thënë Ramadani.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv  edhe Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, duke thënë se në këtë klinikë nuk është duke u trajtuar asnjë rast.

“Në Klinikën Infektive nuk kemi asnjë rast të paraqitur”, ka thënë Vishaj.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) më shumë se 30 mijë njerëz janë infektuar në vitin 2023, për dallim nga viti 2022 kur ishin regjistruar 941 raste.

Sipas OBSH-së, arsyeja kryesore është se fëmijët janë vaksinuar më pak kundër kësaj sëmundje, gjatë pandemisë së COVID-19.

Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae.

Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.

Simptoma parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës./21Media

 

 

 

Back to top button