Qeveria në mbledhje elektronike miratoi katër projektligje

 

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen e 20-të (mbledhje elektronike), në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Përmes një komunikate për media nga kryeministria bëhet e ditur se Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, në Programin Legjislativ për vitin 2020 do të përfshihet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, lidhur me Financimin e Programit – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit. Gjithashtu me këtë plotësim-ndryshim, Projektligji për Zhvillim Rajonal bartet nga Programi Legjislativ i vitit 2020 në Programin Legjislativ të vitit 2021.

Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, janë miratuar këto projektligje:

1. Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës;

2. Projektligji për Pronën Publike;

3. Projektligji për Tokën Ndërtimore; dhe

4. Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Rregullorja për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, e cila ka për qëllim të përcaktojë procedurat dhe kriteret e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës për interes publik, si dhe bartjen në pronësi të komunës të pronave të paluajtshme, të cilat administrohen nga institucionet qendrore.

Back to top button