Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar të gjithë bashkëatdhetarët se nga sot Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të primit të Sigurimit Kufitar mbi palët, të cilët janë subjekt i kësaj police gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas BKS-së, bazuar në memorandumin e arritur ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, BQK-së dhe BKS-së, bashkëatdhetarët mund të pajisen me policë të Sigurimit Kufitar vetëm në pesë vendkalime kufitare, por për të bërë sa më të lehtë ardhjen e tyre, BKS ka përgatitur infrastrukturën e nevojshme në një afat jashtëzakonisht të shkurtë që bashkatdhetarët të kenë mundësi të pajisen me policë të subvencionuar nga Qeveria në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës.

“Duke falënderuar Qeverinë e Kosovës mbi përkushtimin maksimal drejt rimëkëmbjes të ekonomisë, shpresojmë se Qeveria e Kosovës do të adresoj seriozisht marrjen e masave rigoroze lidhur me zvogëlimin e automjeteve paregjistrim / pasigurim, mbase kjo do të ndikonte pozitivisht në rritjen e Sigurisë në Trafik, si dhe do të ishte një kontribut i lartë drejt anëtarësimit në Këshillin e Byrove në Bruksel. Periudha e pajisjes me policë të sigurimit ka filluar nga sot me datë 01.08.2020 dhe përfundon me datën 31.12.2020. Polica e sigurimit bëhet efektive në momentin e lëshimit dhe pranimit nga i siguruari dhe është valide një muaj nga data e lëshimit. Subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për automjetet /motoçikletat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë”, bëhet e ditur në njoftim.

BKS njoftoi se subvencionimi nga Qeveria e Kosovës nuk zbatohet për të gjitha llojet e mjeteve motorike me të cilat zhvillohet veprimtari ekonomike – të regjistruara në emër të personave juridik.