Qeveria të marrë masa tjera, vendimet e fundit të rishqyrtohen

 

Situata me pandeminë Covid-19 në komunat e Kosovës çdo ditë e më shumë po rëndohet. Është e domosdoshme që masat e fundit të qeverisë të rishqyrtohen dhe të merren masa të reje për luftimin e korona virusit. Asociacioni i Komunave të Kosovës përkrahë çdo vendim të ri, i cili shpëton jetën e qytetarëve.

Kështu tha përfaqësuesi i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili shtoi se janë duke vazhduar takimet me krerët e inspeksionit, të komunave, dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Të gjithë po e vërejmë që gjendja është duke u rënduar. Komunat i kanë të gjitha shtabet komunale të aktivizuara, përveç shtabeve për menaxhimin e COVID-it, i kanë krijuar edhe shtabet në nivel të fshatrave në mënyrë që t’i dalin ballë dhe t’i përkrahin qytetarët sa i përket luftimit për parandalimin e Covid-19. Inspektorati komunal është duke përkrahur inspektoratin qendror, përkatësisht AUVK sa i përket inspektimeve, jo vetëm gjatë orëve të mbrëmjes, por edhe gjatë orëve të ditës dhe neve jemi duke shpresuar që situate do të tejkalohet kjo krizë”, tha Ibrahimi.

Ai tha se janë duke kërkuar shqyrtimin e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, meqë sipas tij, një gjë e tillë është e domosdoshme.

“Ne si asociacion kemi kërkuar që vendimi i 5 korrikut të shqyrtohet. Niveli qendror ka hasur në mirëkuptimin e kërkesave tonë. Mirëpo po më duket që është e domosdoshme edhe masat dhe vendimi i fundit të shqyrtohet, për shkak situatës së rënduar. Mos të fajësojmë qytetarët apo institucionet, vetëm tri postulatet kryesore të respektohen. Atë mund ta bëjë çdo qytetar. Mbajtja e distancës fizike, mbajtja e maskës dhe higjiena personale, është konstatuar që nëse respektohen, edhe Covid-19 nuk do të jetë shumë i rrezikshëm sa është tani, por në të kundërtën po shohim që gjendja është duke u rënduar”, u shpreh Ibrahimi.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi theksoi se Qeveria e Kosovës e ka përkrahjen edhe të komunave për masa të reja, të cilat sipas tij, shërbejnë jetën e qytetarëve.

“Ka filluar mos të them me të madhe, shqiptimi i gjobave mandatorë ndaj qytetarëve apo individëve fizik dhe juridik, të cilët nuk respektojnë këto rregulla. Mirëpo ndoshta Qeveria e Kosovës duhet të ndërmerr masa të tjera, sa i përket luftimin e përhapjes së Covid-19”, shtoi ai.

Deri më tani vetëm në kryeqytet janë identifikuar 2563 raste me koronavirus. Ndërkohë, në të gjithë Kosovën janë të konfirmuara 8330 raste pozitive, prej tyre 4578 janë shëruar, ndërsa 227 persona kanë humbur betejën me Covid-19. /kp

Back to top button