Qindra fëmijë kanë vdekur në sulmet ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se qindra fëmijë në rajonet rusishtfolëse kanë vdekur në sulmet ajrore ruse, në një intervistë për gazetën turke HaberTurk.

“Ata thonë se po mbrojnë njerëzit që flasin rusisht. Por ajo që po ndodh në Mariupol, në Melitopol, çfarë ndodhi në Berdiansk dhe Kharkiv, ka shumë rusishtfolës [në këto qytete]”, tha Zelensky, “Dhe ata u thanë këtyre njerëzve se po vinin për t’i mbrojtur ata. Qindra fëmijë në këto rajone rusishtfolëse janë vrarë nga sulmet e tyre ajrore,” tha ai.

Duke iu referuar varrezave masive të gjetura në Bucha, Zelensky tha se përpjekjet ruse për të diskredituar informacionin ukrainas nuk do të funksionojnë dhe se “qindra kufoma flasin ndryshe”.

Ai tha se ka varre masive me ukrainas në territorin ukrainas dhe se Rusia hyri në Ukrainë për të “bërë luftë” duke shtuar se kjo “nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë”. 

“Varza masive në Buça, është një prej tyre, mes të cilëve edhe fëmijë. Fëmijët nuk mund të konsiderohen si militantë. Kjo është e pamundur të fshihet. Ne pamë që disa prej tyre u mungonin pjesët e trupit, kishte njerëz me duar të lidhura. Ka pasur përdhunime, me dëshmitarë. Dhe ne përgjuam një sasi të madhe audio. E gjithë kjo është një dëshmi e nazizmit të tyre të paturpshëm. Dhe ata e dinë se janë nazistët”, tha ai.

Zelensky bëri thirrje që ushtria ruse dhe lidershipi politik që planifikoi dhe urdhëroi pushtimin të ndëshkohej për “krimet e tyre të luftës”.

“Është e pamundur të fajësosh vetëm një person për të gjitha këto krime lufte. Por komuniteti ndërkombëtar duhet ta dijë. Federata Ruse duhet ta dijë se këto mizori masive u shkaktuan me urdhër të shumë njerëzve dhe shumë strukturave, dhe me shumë vendime politike dhe nuk ka asnjë mënyrë që përgjegjësit t’i shpëtojnë dënimit”, tha ai./21Media

Back to top button