QKUK: Rast i rrallë, pacientit 27 vjeç i shpëtohet parakrahu i prerë

Në sallën operative të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është kryer me sukses një operacion shumë i rrallë dhe i ndjeshëm, për herë të parë në Kosovë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës(SHSKUK) ka njoftuar se në momentin e pranimit në Klinikën Emergjente, pacienti e kishte pothuajse të amputuar (prerë) komplet parakrahun e majtë, gjatë punës së tij me fleks, në vendin e tij të punës.
“Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirugjisë Vaskulare që e udhëheqi operimin, ekipa e Klinikës së Ortopedisë, Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe dhe Neurokirurgjisë), bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin tek një pacient i moshës 27 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak). Si graft për rekostrukcion të arterieve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të pacientit; (Vena saphena magna). Po ashtu, ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat radiale dhe ulnare dhe kishte bërë hemostazë korrekte”, bëhet e ditur në njoftim.
Ekipi i orotopedëve bëri fiksimin e të gjitha kockave të prera, ekipa e Kirurgjisë Plastike ka bërë qepjen e muskujve dhe të tendinave, ndërsa ekipa e Neurokirurgjisë një pjesë të qepjes së nervave do ta bëjë pas 4 jave.
Në njoftim bëhet e ditur se pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses dhe pacienti pas 14 ditë hospitalizimi, sot është liruar për në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore./21Media

Back to top button