QMF-të në Prishtinë i kthehen normalitetit

 
Situata e qetë pandemike në vend ka bërë që në Qendrat e Mjekësive Familjare në Prishtinë të rikthehen të gjitha shërbimet mjekësore për pacientë, përfshirë edhe QMF-në në lagjen “Kalabria”, e cila për një kohë të gjatë ka ofruar shërbime vetëm për të infektuarit me COVID-19.
Ashtu sikurse komunat e tjera edhe sistemin parësor shëndetësor në kryeqytet, u ballafaqua me ikjen e mjekëve si pasojë e konkursit për specializim gjatë qeverisjes së kaluar, prandaj në QMF në kryeqytet së shpejti pritet punësimi i 15 mjekëve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë̈ Familjare në Prishtinë, Rrezart Halili tha se situata momentale nëpër QMF-të në kryeqytet është stabile.
Halili theksoi se me vaksinimin e personelit shëndetësor dhe me kalimin e Covid-19 nga shumica prej tyre, është krijuar stabilitet edhe te stafi mjekësor.
“Situata momentale në QKMF-të në Prishtinë sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore është stabile, në atë aspekt pasi iu kemi kthyer normalitetit pothuajse në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare. Në kryeqytet ofrohen shërbimet sikurse para periudhës së pandemisë, më së shumti në fshatra, ku edhe atje tani ofrojnë shërbime shëndetësore. Falë situatës të cilën jemi tani QMF ‘Kalabri’ është kthyer në periudhën normale, domethënë ofrohen shërbimet shëndetësore, atje ende ofron shërbime paranterale për pacientët COVID, por ofron edhe shërbime të tjera shëndetësore, pasi që këtë shërbim për pacientët me COVID e ofrojmë edhe nëpër qendrat e tjera ku kemi dedikuar një vend të posaçëm që mos të bëhet përzierje me pacientët tjerë”, theksoi ai.
Konkursi i specializantëve shkaktoi mungesa të mjekëve edhe te Qendrat Mjekësore Familjare në Prishtinë dhe kjo u bë një barrë për menaxhmentin, të cilët me qëllim që të ofronin shërbime cilësore dhe në kohë, është dashur të bëjnë zgjidhje me mjekët që kishin në dispozicion.
Halili theksoi se situatë më vështirë e menaxhueshme ka qenë për QMF-të në fshatra, por edhe te ato që ofrojnë shërbime mjekësore 24 orëshe.
“Kur i pranuam mjekët e përgjithshëm, rishtazi pas tre muajve, u hap ky konkursi me specializim dhe të gjithë ata që u pranuan e lanë punën, kjo ka ndikuar shumë tek ne sepse është dashur me shpenzuar para nga mjetet tona për orët shtesë për mbulimin e këtyre shërbimeve. Duke iu falënderuar dhe ndihmës që kemi pasur nga komuna dhe nga MSh deri diku kemi arritur me mjaftë vështirësi t’i bëjmë shërbimet në nivel duke mos i reduktuar fare në asnjë qendër. Kemi pasur sfida nëpër fshatra. Edhe specializimet kanë ndikuar në vështirësinë e organizimit të punës nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, mos të them se çdo javë duhet të modifikojmë apo të mendojmë se si t’i mbulojmë këto zbrazëtira sepse Prishtina është në aspektin territorial mjaftë e madhe dhe ofrojmë shërbime 24 orëshe në tri Qendra kjo ka qenë sfidë pasi disa mjekë kanë shërbyer në ndërrimin e natës dhe është dashur të bëhen ndërrime por ia kemi dal disi”, deklaroi Halili.
U.d i drejtorit të QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili tregoi se tashmë konkursi për rekrutimin e 15 mjekëve familjarë është mbyllur dhe ndodhet në fazën e testimit.
“Komuna e Prishtinës është në zhvillim e sipër të një konkursi tashmë i mbyllur, janë procedura e testimit dhe rekrutimit dhe shpresoj që t’i rekrutojmë nëse nuk gaboj, 15 mjekë dhe me ata besoj që edhe infermierë do i mbulojmë edhe nevojat tona. Por është edhe trendi i pensionimit ku ndodh që gjatë vitit të pensionohen 25 mjekë”, tha ai.
Tani e sa kohë të gjithë qytetarët që vuajnë nga diabeti po kanë telashe për furnizim me insulina. Këtë e pranoi edhe u.d. të drejtorit të QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili, i cili për kp tha se këto mungesa janë breng e madhe edhe për ata dhe se janë në pritje të tyre, ashtu sikurse qytetarët.
Ai shtoi se posa t’i kenë insulinat menjëherë do nis shpërndarja e tyre te pacientët që janë në nevojë.
“Qytetarët e Kosovës janë duke u ballafaquar me mungesë të insulinave për çka është një breng e madhe edhe ne si menaxhment sepse këta qytetarë drejtohen tek ne sepse ne bëjmë shpërndarjen e insulinave dhe kur kthehet pas nuk është situatë e mirë, ne gjithmonë presim furnizimin nga MSh i cili është i vetmi autoritet që ka bërë kontraktimin e këtyre insulinave. Ne i presim ato (insulinat), fatkeqësisht qytetarët duhet të sillen derisa të vijnë ato insulina dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë distribuimin e tyre siç e kemi bërë më parë”, deklaroi ai.
Rrezart Halili pati edhe një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë. Ai po kërkon që me qëllim të fuqizimit të sistemit parësor shëndetësor, të bëhet unifikimi i të gjitha Qendrave të Mjekësive Familjare në të gjitha komunat.
“Është shumë e rëndësishme të fuqizohet sistemi parësor shëndetësor në çdo aspekt duke unifikuar dhe standardizuar të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në një sistem, pasi për shembull në Komunën e Prishtinës, orari i punës është ndryshe nga Prizreni dhe komunat e tjera nga një shembull i thjesht mendoj që duhet të standardizohen edhe ofrohen shërbime të unifikuar, të njëjta në secilën komunë. Edhe cilësia të jetë e njëjtë̈ që mos të ketë pakënaqësi në mes qytetarëve nëpër komuna të ndryshme”, deklaroi Halili.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Rrezart Halili po ashtu tha se deri tani mbi 70 për qind e mjekëve dhe infermierëve të sistemit parësor shëndetësor në kryeqytet janë vaksinuar kundër COVID-19.
Halili tregoi se vetëm në muajin maj kanë ofruar mbi 2 mijë shërbime, derisa theksoi se për këtë periudhë të viti kanë dhënë shërbime mjekësore për 1 milionë pacientë.
Komuna e Prishtinë ka qenë komuna me numrin më të madh të të inferkuarve me koronavirus në vendin tonë. /kp

Back to top button