Qoku: Do të jem deputet i pavarur por do të përfaqësoj opozitën

Vazhdojnë edhe më tej dilemat se si Lëvizja Vetëvendosje do të marr pjesë në zgjedhjet parlamentare të tetë majit në Maqedoni. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shkup pati thënë se si subjekt nuk janë të formuar në Maqedoni dhe nuk mund të marrin pjesë, ndërsa anëtari i këshillit të kësaj partie, Bekim Qoku, thotë se do të garojë për deputetë si pjesë e LEN.

“Për herë të parë Vetëvendosja do të garojë me një kandidat, pra do të jetë pjesë e zgjedhjeve”, tha Bekim Qoku – Vetëvendosje.

Qoku thotë se do të jetë pjesë e listave zgjedhore të opozitës, do të përfaqësojë opozitën, mirëpo do të jetë i pavarur.

Për analistin politik Sefer Selimi, qëndrimet e Qokut dhe Vetëvendosjes për pjesëmarrje në zgjedhje janë konfuze. Thotë se nuk duhet nguruar për të treguar haptazi veprimin e tyre.

“Një parti që duhet të shërbejë për moral dhe për të gjetur rrugën ne shqiptarët në Maqedoni, nuk mund ta ketë kaq konfuze përfaqësimin e vet në Maqedoni. O merrni pjesë, o nuk merrni pjesë. Kaq e thjeshtë është. Nëse merrni pjesë, duhet ta thoni haptazi. Nuk e di çfarë është ky ngurim. Nuk jeni të sigurt në vetveten tuaj? Apo nuk keni guximin t’i thoni Maqedonisë se ne po ndërhyjmë në punët tuaja dhe t’i tregojmë shqiptarëve se nga duhet të ecin. Sepse ju në këtë moment jeni në kundërshtim të plotë me fjalën e njeriut të cilin e përfaqësoni. Kryetarit të L. Vetëvendosje, kryeministrit të Kosovës!”, tha Sefer Selimi – analist.

Nga ana tjetër analisti Besim Hoda, thotë se subjektet politike në Shqipëri dhe Kosovë nuk duhet të krijojnë parti simotra në Maqedoni. Megjithatë sipas tij, politikat ndër shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë me Maqedoninë, duhet të ndërtohen në bazë të marrdhënieve shqiptaro-maqedonase në Maqedoni.

“Unë gjithmonë jam ithtar i asaj që subjektet politike në Shqipëri apo Kosovë, nuk duhet të krijojnë subjekte simotra në Maqedoni, për shkak se situata në Kosovë dhe Shqipëri në aspektin kombëtar është e zgjedhur. Unë besoj që shqiptarëve në Maqedoni gjithmonë do t’iu duhet një kryeministër kushdoqoftë ai, në Kosovë Albin Kurti është shumë i mirëseardhur, apo kushdo tjetër që do të jetë. Edhe një kryeministër në Shqipëri kushdoqoftë ai, sepse ne kemi nevojë për momentin për Shqipërinë dhe Kosovën për të suportuar shqiptarët dhe kërkojmë që politika e Shqipërisë dhe Kosovës me Maqedoninë, të ndërtohet në suaza të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase këtu.”, pohoi Besim Hoda-analist.

Këshilltari i Kurtit, Bekim Qoku, thotë se nuk është hera e parë që Vetëvendosja kontribon në zgjedhje në Maqedoni sepse këtë e ka bërë edhe në zgjedhjet e 2020tës. Siç shprehet, këtë herë është ngritur më tepër pluhur për shkak se BDI ndjenë frikën se mund të humbë pushtetin./TV21

Back to top button