Qosja-Berishës: Po bën beteja politike dhe që një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e Kosovë

Akademiku, Rexhep Qosja i ka reaguar Sali Berishës duke i thënë se moshanikët e tij enden korridoreve të spitaleve me fashikuj në duar plot diagnoza e dokumente të tjera mjekësore, ai po bën beteja politike dhe që gati një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e Kosovë.
Qosja ka theksuar se ai pas qindra e qindra faqeve të shkruara kundër politikës së tij, do të shkruaj edhe tani një panegjirik për të: për energjitë e tij, për demagogjitë e tij artistike, për mendimet e tij të qarta, buçitëse, të sistemuara, të tejpërtej dëgjuara.
”E di se me atë panegjirik nuk do ta shpëtoj prej veprimit kundër vetvetes, por unë do të përpiqem ta bëj të amshueshëm në historinë shqiptare përplot të Papritura e Fatkeqësi. E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, i cili, në emrin e SHBA-së, e shpalli person të padëshiruar në SHBA dhe po sillet e po vepron si të mos ishte i shpallur i tillë! Dhe, në këtë betejë angazhoi edhe avokat francez, edhe gjykatës francez! Edhe shtet tjetër! E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim! Dhe, me këtë betejë politike kundër ambasadores amerikane, ai në të vërtetë po bën betejë politike kundër SHBA-së duke mos menduar aspak se SHBA me UÇK-në dhe me NATO-n jo vetëm ndalën gjenocidin që bënte Serbia e Millosheviqit duke dëbuar afro 1 milion shqiptarë prej Kosovës, por edhe e çliroi Kosovën prej okupimit shekullor serb duke e bërë çka është sot: shtet i lirë e i pavarur”, ka shkruar Qosja.
Qosja ka theksuar se Berisha po e vazhdon betejën politike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë që ia mohoi veprimtarinë pasi u shpall person i padëshiruar në SHBA, madje sipas tij ai ”filloi” këtë betejë politike me puç partiak./21Media

Back to top button