Qytetarët asnjëherë s’kanë qenë në pozitë më të pashpresë se tani

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se pako prej 100 milionë euro e ekzekutivit nuk do të ketë ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sipas saj, këto shtesa më shumë do të ndihmojë tregtarët t’i mbajnë çmimet e larta të produkteve bazike.
Në një konferencë për media, Bajrami tha se viti 2022 po del viti më i vështirë socio-ekonomik për qytetarët tonë.
Sipas saj, qytetarët asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të pashpresë se tani.
“Pavarësisht trumbetimeve të Qeverisë për rritje ekonomike, qytetarët e vendit tonë asnjëherë nuk kanë qenë në një pozitë më të pashpresë se tani. S’ka artikull nga shporta e konsumatorit çmimi i të cilëve nuk është dyfishuar, pagat kanë mbetur të njëjta, derisa nuk ka përmirësim të shërbimeve. Në fakt në shumë sektorë ka përkeqësim të gjendjes. Qytetarët ndihen të diskriminuar, mjafton të kujtojmë konkursin e KEK-ut, ku fitues dolën vetëm anëtarët e familjarëve të komisionit përzgjedhës dhe eksponentët e familjarë të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Bajrami.
“Është e domosdoshme heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për gjithë artikujt bazë. Kemi propozuar të hiqet akciza për të gjitha produktet e energjisë për një periudhë të caktuar kohore derisa të kalojë kriza dhe të fillojë të stabilizohet inflacioni. Kemi propozuar gjithashtu që qeveria të harmonizojë politika të favorshme tatimore, në mënyrë që të tërheqë investime të huaja dhe të krijojë vende të reja pune”, shtoi Bajrami./21Media

Back to top button