Qyteti i bizneseve Ferizaj, me shumë probleme

Çka po pengon rritjen e eksportit dhe rritjen e punësimit

Preokupim i bizneseve është se Qeveria e Kosovës duke tentuar që të mbajë buxhetin e konsoliduar dhe duke i orientuar investimet në drejtim jo të duhur, është duke i dëmtuar bizneset dhe vendin, gjë e cila ndikon në mos rritjen e eksportit dhe prodhimit vendor si dhe mos rritjen e punësimit. Kështu u tha në “Kafen e mëngjesit”, organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në Ferizaj, ku të pranishëm ishin dhjetëra biznese të këtij regjioni me qëllim të identifikimit të shqetësimeve të bizneseve të Ferizajt.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, informoi të pranishmit mbi propozimet për qeverinë e re, të dërguara nga OAK, e të cilat përfshijnë disa nga sferat kryesore me të cilat përballen bizneset. “Ndër propozimet e OAK-ut drejtuar të gjitha partive politike para fushatës zgjedhore përfshihet ndryshimi i udhëzimeve administrative të Ministrisë së Bujqësisë, ndryshimi i projektligjit për Miniera dhe Minerale, ligjit të punës, ligjit për pushimin e lehonisë, largimi i taksës ekologjike për rimorkio dhe krijimi i ofertave për të bërit biznes në Kosovë dhe shumë e shumë të tjera”, tha Krasniqi.

Ndërsa anëtari i Bordit të OAK-ut, Hysni Zogaj tha se bashkimi i bizneseve është më se i nevojshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë ato mund të tejkalojnë më lehtë  sfidat me të cilat përballen.

Pronari i biznesit Plus Center, Sylejman Neziri tha se monopolizimi në Kosovë po shkatërron bizneset dhe se duhet rritur interesimi i konsumimit të produkteve vendore dhe sa më pak të vendeve të tjera, ndërsa përfaqësuesi i biznesit anëtar “Pofix” SH.P.K., Sadat Abazi veçoi problemet që po hasin bizneset me tahograf gjatë eksportit.

Amir Musliu nga “Elsam” SH.P.K. u fokusua më shumë te procedurat për eksportim të produkteve dhe problemet me procedurat për garancinë bankare. Ndër të tjera, ai shtoi që investitorët e huaj shpesh nuk janë të informuar që tatimi në fitim në Kosovë është vetëm 10 për qind.

Përfaqësuesi i biznesit “Silca Group” SH.A, Adnan Ibrahimi, vlerësoi lart organizimin e Odës duke shtuar që ka qenë më se e nevojshme për bizneset e Ferizajt të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë sfidat. Tutje ai shtoi që mungesa e Ligjit për Tregti të Brendshme po i dëmton bizneset dhe se gjatë eksportit të ujit në Shqipëri bizneset obligohen të paguajnë taksë për plastikë, gjë e cila nuk aplikohet nga Kosova karshi Shqipërisë.

Biznesi “Cornet Kosova” SH.P.K. shprehu problemet që kanë bizneset e pjesës Babush të Ferizajt me ndalesat e rrymës që po i dëmtojnë në prodhimtari.

Faton Nuredini nga “Toni Mermer” SH.P.K. përkrahu propozimet e OAK-ut për inkasimin e mjeteve dhe që gjykata ekonomike duhet të kthehet, ndërsa shtoi që duhet të krijohet një sistem që publikon raportet e bizneseve, në mënyrë që të dihet gjendja e tyre.

Back to top button