Rakiq në takim me shefen e UNMIK-ut, kërkon formimin e Asociacionit

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është takuar sot me shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, me të cilën ka folur për zgjedhjet dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Është e nevojshme që sa më parë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, të tërhiqen njësitë speciale nga veriu dhe të ndalen persekutimet politike dhe arrestimet, në mënyrë që të mundësohet jeta paqësore e serbëve në këto zona dhe të ruhet stabiliteti dhe mbijetesa”, ka shkruar Rakiq në një postim në llogarinë e tij në Facebook pas takimit.

Lista Serbe që udhëhiqet nga Rakiqi nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të organizohen në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pasi drejtuesit e këtyre komunave u dorëhoqën në nëntorin e vitit të shkuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar veturat me targa serbe në targa të Kosovës.

Back to top button