Rama betohet si ministër i Jashtëm
Rama mori nga kreu i shtetit dekretin për detyrën e re
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka humbur kohë. Pak pas kthimit në Tiranë të Ilir Metës nga vizita zyrtare dy ditore në Malin e Zi, shefi i qeverisë ka vizituar mbrëmë selinë e presidencës.
Këtë radhë Rama nuk ka hyrë në zyrën e kreut të shtetit për të diskutuar dekretet, por për tu betuar si ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas votimit të hënën në parlament.
Pas leximit të formulës dhe vendosjes së dorës mbi kushtetutë, Rama ka marrë nga kreu i shtetit dekretin për detyrën e re.
Zyra e presidentit të republikës ka nënvizuar në njoftimin e saj se presidenti, Meta i ka uruar Ramës, suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. E gjithë ceremonia e betimit në presidencë ka zgjatur vetëm pak minuta.
Marrja e detyrës së ministrit të Jashtëm nga Edi Rama ka ardhur pas refuzimit të presidentit për të dekretuar, Gent Cakajn në krye të diplomacisë.
Kreu i shtetit e ka quajtur të papërshtatshme kandidaturën e Ramës, ndërkohë që kryeministri ka thënë se presidenti kishte shkelur kushtetutën, një përplasje kjo që pritet të përfundojë në gjykatën kushtetuese, sapo ajo të jetë funksionale, raporton Vizionplus.