Rama dhe Abazoviq nisen drejt Ukrainës

Para nisjes drejt Ukrainës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar fotografi nga aeroporti bashkë me homologun e tij nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq.
Rama thotë se po shkojnë në Kiev me ftesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Për Kiev me ftesë të Presidentit Zelensky🇦🇱🤝🇺🇦🤝🇲🇪”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në “Facebook”.

Vizita e kryeministrit shqiptar dhe atij malazez vjen pas më shumë se 100 ditësh nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Zyrtari i parë shqiptar, i cili vizitoi Kievin pas sulmeve të 24 shkurtit, është kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili më 27 prill, takoi Presidentin e Ukrainës, Zelensky.


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka pranuar ftesën e presidentit të Ukrainës, Vlodimir Zelensky për të vizituar Kievin, përcjell TV21.
Nga kabineti qeveritar në Podgoricë bëjnë të ditur se Abazoviq ka inicuar idenë që bashkë me të të udhëtojë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. “Ashtu siç ka paralajmëruar, Abazoviq do të inicojë idenë e një vizite të përbashkët në Kiev nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga vendet e NATO-s në rajon, në mënyrë që të dërgohet mesazh i fuqishëm dhe unik në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor në sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës”, thonë nga Kabineti i kryeministrit malazez, Dritan Abazoviq.
Por, Nga Qeveria për TV21 njoftuan se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski nuk e ka pranuar ftesën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq për vizitë të përbashkët në Kiev. Nga kabineti i Kovaçevskit bënë me dije se axhenda e kryeministrit për momentin është e ngarkuar dhe se një vizitë e tillë në Ukrainë është planifikuar për të ardhmen. “Ftesa për një vizitë për të cilën po pyesni dhe e cila është iniciuar nga presidenti ukrainas Zelenski i referohet një periudhe jashtëzakonisht intensive në axhendën e kryeministrit dhe për shkak të pamundësisë për ta ndryshuar atë, për fat të keq nuk mundëm të përgjigjemi pozitivisht. Mbështetja jonë për Ukrainën dhe popullin trim ukrainas është e qartë dhe e pa rezervë. Ju jemi mirënjohës për ftesën për një vizitë e cila besojmë se do të realizohet së shpejti”, thanë nga Qeveria për TV21./21Media

Back to top button