Rama: Do ta transformojmë Muzeun për Krimet e Komunizmit në Shkodër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot nga Shkodra se do të transformohet Muzeu për Krimet e Komunizmit.

Rama u shpreh se Muzeu i Krimeve të Komunizmit është lënë pas dore.

“Vajta bashkë me Benetin te Muzeu për Krimet e Komunizmit, m’u duk sikur hyra në një dyqan ‘Vodafoni’, ku s’kishte karta telefonike dhe ai muze estetikisht është një muze që nga pikëpamja estetike mund ta bëjnë vetëm komunistët. I mbushur vetëm me pankarta, një tmerr. Dhe më e keqja, ishte shtruar sikur hyje në banjën e një stadiumi”, tha ai.

Rama theksoi se do ta bëjnë Muzeun për Krimet e Komunizmit një vend për të treguar historinë e persekutimit të klerikëve dhe të Shkodrës, shkruan Atsh.

“Ne do ta transformojmë atë muze, sepse ajo hapësirë është një hapësirë identitare e Shkodrës. Dhe ajo është një histori që ne duhet ta tregojmë. Dhe nuk ka pasur vend tjetër që kjo histori mund të tregohet, dhe nuk ka një vend më adapt se aty, te ajo hapësirë, dikur e Kolegjit Françeskan, e kthyer në vend torturash dhe komisariat policie më mbrapa. E rikthyer prapë te Françeskanët, e ndarë me ta, për të treguar historinë e paimagjinueshme të persekutimit të klerikëve dhe të persekutimit të Shkodrës. Aty do jetë një vend, arsye më shumë për ta vizituar Shkodrën, një vend nga ku turistët kur të vijnë të mos thonë se u futëm dhe nuk gjetëm kartë telefoni ‘Vodafone’, po të dalin dhe t’u mbetet në mend për gjithë jetën”, u shpreh Rama.

Back to top button