Rama: Do transformojë infrastrukturën tregtare Shqipëri-Kosovë

Projekti për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot projektin për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto-Romano që do të lidhet me Portin e Thatë në Prishtinë, duke përdorur hekurudhën Durrës-Prishtinë, një projekt ambicioz i prezantuar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u mbajt dje në Prishtinë nga kompania holandeze “Royal Hackoning”.
“Projekti ambicioz i Portit të ri të Durrësit, paraqitur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si projekt i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, do të transformojë rrënjësisht jo vetëm infrastrukturën tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, po edhe gravitetin ekonomik rajonal, duke e kthyer Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Porto-Romano do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarë me kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu parashikohet të presë deri në 1 milion pasagjerë. Nëpërmjet këtij projekti distanca me Prishtinën pritet të shkurtohet në 265 kilometra./21Media

Back to top button