Rama: Ndërkombëtarët janë zot shtëpie në Kosovë, ata e kanë krijuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendet ndërkombëtare që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga Serbia më 1999, janë zot shtëpie në Kosovë, pasi siç tha Rama, ata e kanë krijuar këtë shtëpi.

“Nuk i quaj aleatët ndërkombëtarë, ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovës si askund tjetër, sepse ata e kanë krijuar atë shtëpi. Për sa kohë ajo shtëpi nuk është njohur plotësisht, atëherë ata janë limfa vitale e asaj shtëpie. Nëse ata i kthejnë shpinën, ajo shtëpi futet në ditët e veta më të zeza. Nëse trupat e huaj do të marrin veriun e Kosovës çështja do kthehet në tryezë pas kush e di sa vitesh”, tha Rama në një konferencë për media, pasi njoftoi se i ka dërguar Francës dhe Gjermanisë një draft-statut për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rama tha se Asociacioni dhe njohja e ndërsjellë është ajo që i duhet Kosovës.

“Të tjerat janë dokrra të rrezikshme që e çojnë vendin mbrapsht në kohën e bronzit”, deklaroi ai.

Tutje Rama tha se asnjëra nga palët nuk po punojnë për të zgjidhur problemin real dhe se kryetarët e komunave në veri të Kosovës e plotësuan misionin e tyre dhe se tani duhet të mbahen zgjedhjet e reja. /21Media

Back to top button