Draft- Asociacioni, Berisha e quan Ramën argat të Vuçiqit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

E lidhur me këtë u deklarua edhe kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, i cili po e konsideron si ndërhyrje flagrante të Shqipërisë në punët e brendshme të Kosovës.

Madje ai bëri edhe deklarata më të ashpra duke e quajtur Ramën si argat të Vuçiqit.
Argati i Vuçiçit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan, dhe pas Putinit të Madh edhe në Europë, Aleksandër Vuçiç. Natyrisht vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë. Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës. Përpiqet të sfumojë problemet e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet”, tha Berisha para gazetarëve.

Poashtu bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që për të qetësuar situatën që të veprojnë duke u koordinuar me SHBA, BE dhe KFOR-in. Kurse për Asociacionin tha se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./21Media

Back to top button