Rama në Davos: Procesi i integrimit, i padrejtë

“I padrejtë dhe neurotik”, kështu e ka cilësuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama procesin e integrimit në BE, nëpër të cilin po kalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga Forumi Botëror Ekonomik i Davosit, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse do të kishin të njëjtin trajtim, shumë vende anëtare nuk do të mund të hynin as vetë në BE.
“Procesi i integrimit ka ndryshuar plotësisht është bërë neurotik dhe i padrejtë çka është e mirë për ne pasi stërvitim nervat. Por nëse do t’u rezervonin të njëjtin trajtim vendeve anëtare, më shumë se gjysma e vendeve anëtare nuk do mund të hynin në Bashkimin Europian, do ta kishin të pamundur. Dhe nuk po flas për vende komuniste, por dhe nga themeluesit. Më besoni, ky është realiteti”, tha Rama
Në bashkëbisedimin “Zgjerimi i horizonteve të Europës”, ku ishin të pranishëm Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Rama theksoi se megjithatë, për Shqipërinë, BE është destinacioni i vetëm, edhe pse shtoi se imazhi i Unionit në Ballkanin Perëndimorë ka rënë.
“Për fat të mirë, ne nuk i përkasim klubit të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po përballen me këtë rënie të imazhit të BE. Ne i jemi besnikë perandorive dhe çfardo të ndodhë, ne do jemi aty. Të flasësh për komunitetin politik europian, mendoj se është diçka e mirë, ide mjaft franceze. A do të funksionojë, a do të na ofrojë një platfofrmë që ne europianët të jemi të gjithë bashkë? Ne jemi në zemër të Europës, nuk do të shkojmë askund. Njerëzit në Bruksel duhet të kuptojnë se jemi në një Rajon ku BE po pëson rënie dhe Putin po shihet më shumë si hero, por jo në Shqipëri. Ne e duam BE 99% e duam SHBA 100%. Duhet ta ruajmë këtë”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar bëri i bëri thirrje BE që të japë më shumë fonde për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Po ndodh diçka mjaft thelbësore që ne të gjithë në BP jemi në një front kur vjen fjala pë të dënuar Rusinë, kur vjen fjala te sanksionet po, por duhet të kuptojmë që shtete e BE kanë fonde rimëkëmbje përpos të ardhurave të tyre, asnjë nga ne në Rajon nuk ka. Nëse BE do të na bëjë pak më tepër pjesë, nuk pretendojmë sa fqinjtë tanë që nuk janë në Ballkan, por është diçka që duhet ta marrin të gjitha vendet e rajonit”, u shpreh Rama.

Back to top button