Rama: Nëse duam që Serbia një ditë t’i kërkojë falje Kosovës duhet të bëjmë paqen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se interes i Perëndimit dhe i shqiptarëve është që Serbia të rreshtohet kah BE-ja dhe SHBA-ja, e jo të izolohet.

“Cili është interesi ynë? Që Serbia të izolohet, që Serbia të kthehet në një forcë destruktive apo që Serbia të integrohet me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat, me të gjitha ato përpëlitjet e veta në këtë komunitet dhe që çdo kërcitje këtu që kthehet, përkthehet në shkrehje armësh dhe në njerëz jeta e të cilëve vihet në rrezik të evitohet. Unë them që kjo e dyta është më e rëndësishme. Cila është më e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tanë në këtë rajon, që t’iu trashëgojmë atyre pasionin për të luftuar kundër njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha gjëja që shqiptarët kudo ku janë dhe ata të Kosovës në mënyrë të posaçme, duke qenë se ata kanë pasur pjesën më të madhe të vuajtjes nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, s’duhet ta harrojnë kurrë, që shqiptarët e kanë fituar luftën. Shqiptarët e kanë fituar luftën e tyre”, ka deklaruar Rama.

Informacionet e operimit të grupeve paramilitare ruse në veri të Kosovës, tentimet për puç në Mal të Zi në vitin 2016 dhe në Maqedoni të Veriut në vitin 2017, Rama i sheh si rrezik ndaj të cilit rajoni duhet të jetë më syçelë.

“Patjetër që rreziku ekziston dhe ky rrezik do të na bëjë të mendojmë për paqe, të mendojmë për të ruajtur një unitet mes vendeve të rajonit. Të gjitha ato tjerat realizohen. Nëse duam që Serbia një ditë t’i kërkojë falje Kosovës duhet të bëjmë paqen. Nuk kërkohet falja kaq kollaj, është proces. Pra, duhet të bëjmë paqen. Dhe, puna për paqen është shumë më e vështirë… Ka disa që thonë se paqja është shumë më e vështirë se lufta. Unë luftë s’kam bërë, preferoj paqen. Sigurisht që lufta është mjet i fundit”, ka nënvizuar në fund Rama. /The Geopost

Back to top button