Rama për vdekjen e Sassolit: La një boshllëk te kushdo që pati nderin ta njihte
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot reagoi për vdekjen e Presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli.
Rama u shpreh se Sassoli la pas një boshllëk të ndjeshëm te kushdo që pati nderin e kënaqësinë ta njihte.
“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte…Addio caro David, riposa in pace”, shkroi Rama në Facebook.
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli vdiq sot në moshën 65-vjeçare. Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë ishte i sëmurë rëndë për më shumë se dy javë dhe anuloi të gjitha aktivitetet zyrtare, transmeton rtv21.tv. Sassoli u shtrua në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të një komplikacioni serioz me sistemin e tij imunitar. Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano, njoftoi zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo në Twitter. /21Media