Rama për vrasjen e rojës në Tiranë kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas vrasjes së rojës së sigurisë së mediumit “Top Channel”. Ai e ka cilësuar këtë si agresion kriminal ndaj mediumit derisa ka kërkuar që të ndriçohet rasti

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”, ka shkruar Rama në Twitter.

08: 55- Vrasja e rojës në Tiranë, reagon presidenti Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar pas vrasjes së rojës së mediumit “Top Channel” në Shqipëri.

Begaj ka kërkuar nga organet e rendit që të ndriçohet rasti.

“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.”, shkroi Begaj në Facebook.

08: 26- Vritet roja e mediumit “Top Channel” në Shqipëri

Roja i sigurisë së mediumit shqiptar Top Channel është qëlluar për vdekje me armë të hënën rreth orës 01:00.
Policia e Shqipërisë njofton se të dyshuarit janë në arrati.

“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se organet kompetente janë duke punuar në ndriçmin e rastit.

“Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button