Prokuroria jep detaje për vrasjen në Dumnicë: Viktima është 58 vjeç

Prokuroria Themelore në Prishtinë po heton rastin e vrasjes së një personi të dielën në Dumnicë,.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj për portalin rtv21.tv tha se rasti është kualifikuar “Vrasje”, sipas KPRK-së.

“Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast.”, tha Ulaj.

Ndërkohë ajo bëri të ditur se mosha e viktimës është 58 vjeç, derisa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit.

08: 42- Vritet një person në Dumnicë të Podujevës

Një person është gjetur pa shenja jete të dielën rreth orës 18:08 në fshatin Dumnicë e Epërme të Podujevës.
Policia në raportin 24 orësh e ka cilësuar rastin si vrasje.

“VRASJE Fsh. Dumnicë e Epërme, Podujevë 26.03.2023 – 18:08. Një mashkull kosovar është gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalë edhe prokurori, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime.”, thuhet në raportin e policisë.

Lidhur me rastin të dielën zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv konfirmoi vdekjen e personit në fjalë derisa tha se rasti po hetohet nga policia./21Media

Back to top button