Rama: Të mos i bëhet presion Serbisë për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se është i shqetësuar për ndikimin rus në Ballkan, por ai tregon mirëkuptim për Serbinë dhe vendimin e saj që të mos i vë sanksione Rusisë.
Rama në një intervistë për “Die Presse”, ka thënë se nuk duhet ushtruar presion ndaj Serbisë dhe se Serbia tri herë ka votuar kundër Rusisë në OKB.
Kryeministri i Shqipërisë, ka thënë edhe se në rast se i vendosen sanksione Rusisë, atëherë presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të mund të mbijetonte politikisht.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, për ta mbajtur kërcënimin e mundshëm larg Ballkanit. Për këtë arsye, nuk duhet t’i ushtrohet presion Serbisë që t’i vendosë sanksione Rusisë. Sanksione të tilla nuk janë të mundshme, pasi pa Rusinë Serbia nuk mund të mbijetojë. Për më tepër, Qeveria e Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i mbijetonin politikisht sanksioneve kundër Rusisë. Serbia ka mbajtur tashmë qëndrim. Nuk duhet harruar se Beogradi tashmë ka votuar tri herë kundër Rusisë në OKB. Është një befasi e madhe, por edhe shenjë se ka vullnet të fortë në Beograd që të interesohet në BE”, tha Rama./21Media

Back to top button