Rama thotë se ”Ballkani i Hapur” ka dhënë rezultate dhe po përfitojnë qytetarët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar pikën doganore e Qafë-Thanës.
Teksa ka ndarë një video në rrjetet sociale, Rama shkruan se ”Ballkani i Hapur” po sjellë përfitime dhe lehtësime për qytetarët dhe bizneset.
”Kjo është shumë e rëndësishme se kështu bëhet dhe konkrete për këdo që thotë se çfarë na duhet Ballkani i Hapur dhe për t’i dhënë fund të gjitha paranojave, e teorive konspirative dhe intoksikimit të propagandës që shkon kundër paqes dhe zhvillimit”, ka thënë ai.
Rama tutje ka shkruar se beson se sa më shumë shembuj konkretë të jenë përpara syve të njerëzve aq më e thjeshtë bëhet gjithçka.
”Do të arrijmë të lehtësojmë ata që bëjnë tregti me këto vende dhe torturohen nga burokracitë doganore”, tha Rama.
Sonte kryeministri Dimitar Kovaçesvski në vilën e presidencës në Ohër do të darkojë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas agjendës, për nesër janë paraparë fjalime zyrtare në samit, përveç kryeministrave dhe ministrave të rajonit me video fjalime do të paraqiten edhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varheji dhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në këtë samit nuk do të marrë pjesë Kosova, e cila thotë se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e Serbisë, për të promovuar interesat ruse dhe kineze.
Gjithashtu, edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një prononcim “Ballkanin e Hapur” e quajti një aleancë të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e cila synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.
Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “Ballkani i Hapur” garanton liritë jetike për zgjidhjen e konflikteve në kontinentin tonë.
“Ballkani i Hapur është në funksion të ecjes sa më shpejtë drejtë realizimit të lëvizjes së lirë të të njerëzve të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve dhe jetësimit sa më të shpejtë në këtë rajon të katër lirive të BE-së”– deklaroi Rama.
E kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se koncepti “Ballkan i hapur” parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.
“Ballkani i hapur, takimet që bëhen në nivel shtetesh, kjo platformë nuk është platformë imponuese, pranon atë çka është e leverdishme, psh: pse ne mos të pranojmë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, pse të mos ketë një dakordësi. A e dini sa presin mallrat nga 10 orë, nga 3 ditë nga 5 ditë”, pohoi Ahmeti.
Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.
“Ballkani i Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk ka arritur të zgjerohej, shkruan TV21./21Media