Ramadani: Edhe Rifat Jashari është fyer për pjesëmarrjen në dasmën e Haradinajve

(Lajm i përditësuar)
Ramadani: Edhe Rifat Jashari është fyer për pjesëmarrjen në dasmën e Haradinajve
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani, në ”Click” të RTV21 ka thënë se në politikë duhet të ketë gjithmonë hapësirë për bashkëpunim, duke kritikuar nivelin e gjuhës politike në vend.
Ramadani tha se në skenën politike po vërehet rritje e gjuhës së fyeseve, linçimeve dhe madje edhe mallkimeve, gjë që sipas tij është shqetësuese.
“Gjithmonë ka vend që të ketë bashkëpunim. Niveli i lartë i fyerjeve, linçimit edhe mallkimit… ne shohim sot si njerëzit e partisë në pushtet i mallkojnë njerëzit. Është e çuditshme. Musteqet e Rifat Jasharit i kanë sharë pse ka shkuar në dasmën e Daut Haradinajt. Është fyer dhe ofenduar edhe nëna Ruke për lotët e saj për djemtë. Kësaj faze i është shtuar edhe mallkimi. Është një pushtet që i mallkon të tjerët”, tha Ramadani.
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet ideja për krijimin e xhandarmërisë në Kosovë, duke e cilësuar si joserioze dhe të rrezikshme për sektorin e sigurisë.
Në emisionin “Click” në RTV21, Ramadani tha se për të ndërtuar një institucion të tillë do të nevojiteshin ndryshime të shumta ligjore dhe një qasje serioze institucionale.
Sipas tij, tema e sigurisë nuk duhet të përdoret për qëllime politike apo emocionale.
“Për me kriju një institucion të sigurisë, në këtë rast xhandarmërinë, duhet të ndryshohen rreth 30 ligje. Kjo qasje kaq joserioze një ditë para fillimit të fushatës është e keqe dhe e dëmshme për idenë. Këta e kanë bërë me idenë e xhandarmërisë vetëm si ide politike. Kurti dhe Sveçla kanë mundur lirisht me dalë me thënë në tubime se është vetëm ide. Nëse ka vendim për themelim të xhandarmërisë së Kosovës, unë votoj për të. Por si sfidë është se nuk ka vendim për themelim – çfarë logjike është kjo? Nuk bëhet lojë emocionale as politike me sektorin e sigurisë. Janë pallavra. Unë dua me pa se si qeveria e trajton këtë çështje, sepse është shumë serioze për t’u lënë në duart e kësaj qeverie, nuk është serioze në tema të sigurisë”, tha Ramadani.
Ramadani: Policia pa vetura e pa këmisha, gjendje e mjerueshme në kushte bazike
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani, ka kritikuar kushtet e punës në Policinë e Kosovës, duke thënë se policia përballet me mungesë të pajisjeve dhe probleme në sistemin e karrierës.
Në emisionin “Click” në RTV21, Ramadani tha se në disa raste policia detyrohet të përdorë edhe vetura komunale jashtë orarit zyrtar, për shkak të mungesës së mjeteve të veta.
Sipas tij, policët përballen me mungesë të uniformave dhe pajisjeve bazike, gjë që ai e cilësoi gjendje të mjerueshme.
“Policia e Kosovës nuk ka kerre. Kerret e komunës ia japin në shfrytëzim Policisë pas orarit të punës. Një polici nuk ka as uniforma e as vetura, as aparat për fotokopje – kushte elementare. Një polic merr këmishat policore nëse kolegu i tij del në pension, ai i merr dhe i vesh. Gjendje e mjerueshme e kushteve të punës dhe karrierës. Gjithë policët janë të irrituar me udhëzimin administrativ. Nuk mundet një polic me i kalu dy grada me një emërim të ministrit. Si do të vijmë në qeveri, do ta anulojmë këtë udhëzim”, tha Ramadani.
Ramadani ngre alarmin për sigurinë: FSK pa gjeneralë
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se Kosova ka nevojë për zhvillim të politikave sociale dhe për forcim të institucioneve të sigurisë, duke kritikuar gjendjen aktuale në disa sektorë.
Në emisionin “Click” në RTV21, Ramadani tha se vendi duhet të avancojë në mbrojtjen sociale, duke përmendur nevojën për strehimore në çdo komunë.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për gjendjen në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke thënë se struktura e saj nuk duhet të mbetet e paplotë dhe pa udhëheqje të plotë ushtarake.
Sipas tij, situata aktuale në ushtri dhe polici është shqetësuese dhe kërkon përmirësim të menjëhershëm të kushteve dhe funksionimit të tyre.
“Kosova ka nevojë të arrijë rezidencën shoqërore, të ketë strehimore në çdo komunë. Ushtria e Kosovës nuk duhet të mbetet pa gjeneralë. Ushtria që gati dy vjet është pa gjeneralë të plotë – kushdo që flet për investime duhet ta pyesë veten si mbetet ushtria e një shteti pa gjeneral.
Pa gjysmën e gjeneralëve në ushtri, kushtet e punës për policinë janë të mjerueshme, policët nuk i kanë kushtet e duhura”, tha Ramadani.
AAK: Jemi alternativë serioze për Kosovën, synojmë transformim të qeverisjes
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani, ka deklaruar se partia e tij po paraqet një ofertë serioze politike në këto zgjedhje, duke synuar, sipas tij, stabilitet dhe transformim të qeverisjes në vend.
Në emisionin “Click” në RTV21, Ramadani tha se AAK po komunikon me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe po ofron një qasje ndryshe politike.
Ai veçoi kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, duke e cilësuar si “transformues”, ndërsa theksoi se modeli i qeverisjes në Gjakovë duhet të bartet edhe në nivel vendi. Po ashtu, përmendi Ramush Haradinajn si një kombinim politik që, sipas tij, përfaqëson stabilitet dhe po pritet mirë nga qytetarët.
Ramadani shtoi se AAK ka treguar qëndrueshmëri ndër vite dhe se mbetet e përkushtuar për një qeverisje serioze dhe stabile.
“AAK ka ofruar zgjidhje të mira në këto zgjedhje dhe ka ofruar diçka tjetër. Ne kemi bërë një kombinim të jashtëzakonshëm me Ardian Gjinin, i cili pa asnjë dilemë e ka marrë epitetin e transformuesit, sepse e ka transformuar Gjakovën, për çka ka nevojë edhe Kosova. Ramush Haradinaj është një kombinim i jashtëzakonshëm që po pritet shumë mirë. Besoj që jo vetëm me individë dhe emra, por edhe me një ofertë serioze dhe stabile, AAK është një alternativë për Kosovën. AAK ka ofruar qëndrueshmëri gjatë këtyre viteve, edhe disa kolegë kanë filluar të flirtojnë me partinë në pushtet për t’ia dhënë presidentin, ndërsa Aleanca ka treguar qëndrueshmëri”, tha Ramdani.
Ramadani: Qytetari po e vuan krizën, politikanët po përfitojnë
Kandidati i AAK-së, Burim Ramadani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se qytetarët duhet të jenë ata që vendosin në zgjedhje, ndërsa pas tyre duhet të nisë menjëherë procesi i ndërtimit të institucioneve të reja.
Ramadani tha se kriza aktuale politike po i dëmton qytetarët, jo partitë politike, duke shtuar se disa aktorë politikë po tentojnë ta mbajnë gjendjen e krizës për interesa të tyre.
“Fuqia kërcënuese është mbi qytetarët, jo mbi partitë. Vetëm politikanët nuk merizten të jenë në krizë, por qytetarët po e vuajnë gjendjen. Data 7 qershor hap mundësinë për një formacion serioz për formimin e institucioneve. Më 7 qershor flasin qytetarët, ne duhet të flasim më 8 qershor se si ndërtohen institucionet”, tha Ramadani.
Ai akuzoi partinë në pushtet se nuk ka pasur interes për ndërtimin e institucioneve dhe se ka synuar vazhdimisht zgjedhje të reja.
“Nuk ka pasur interes për ndërtim institucionesh, synimi ka qenë shkuarja në zgjedhje. Partia në pushtet e ka pasur këtë qëllim dhe e ka transmetuar me diskurs se do të ketë zgjedhje përsëri. Po dëgjojmë shpjegime të ndryshme, një lloj shpjegimi mjaft naiv”, shtoi ai.
“Kosova nuk mund ta përballojë edhe një krizë” Ramadani kërkon ndryshim më 7 qershor
Kandidati i AAK-së, për deputet Burim Ramadani, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se Kosova nuk mund ta përballojë edhe një krizë tjetër politike dhe institucionale.
Ramadani tha se Aleanca po synon të komunikojë me të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfshirë të rinjtë dhe gratë, ndërsa akuzoi partinë në pushtet për mungesë të projekteve dhe për thellim të krizave në vend.
Sipas tij, gjatë gjashtë viteve të fundit nuk ka pasur qeverisje të bazuar në projekte konkrete, ndërsa në tri vitet e fundit është shënuar degradim i sistemit.
“Shpjegimi më i qartë dhe më i thjeshtë është se kemi një parti në pushtet që për gjashtë vjet nuk ka vepruar dhe nuk ka qeverisur me projekte, sidomos në tri vitet e fundit. Ka pasur degradim të sistemit dhe, po ashtu, një synim e tendencë për të vazhduar me kriza”, tha Ramadani.
Ai shprehu shqetësimin se vazhdimi i bllokadave politike do ta vështirësonte tejkalimin e sfidave me të cilat përballet vendi.
“Shqetësimi ynë i përbashkët është se Kosova nuk mund ta përballojë edhe një krizë tjetër. Nëse bllokimi vazhdon, shqetësohem se Kosova nuk mund ta tejkalojë atë”, deklaroi ai.
Ramadani u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin ndryshimin, duke e cilësuar këtë datë si një mundësi për të ndryshuar mentalitetin qeverisës në vend.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?