Raporti i OKB-së flet për situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka thënë se tensionet dhe retorika e nxehtë në veri nënvizojnë mjedisin e brishtë në Kosovë, duke shtuar se qetësia mbizotëroi pas angazhimeve të gjera diplomatike, kryesisht të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE), në de-përshkallëzim si pasojë e ngjarjeve të 31 korrikut.
Në një raport të rregullt gjysmë-vjetor që do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit, Guterres ka folur për përshkallëzimin e rëndë i cili, në fund të korrikut të këtij viti, e solli situatën e përgjithshme në Kosovë në prag të konfrontimit me pasoja potencialisht të rënda, raportoi televizioni N1.
“Tensionet dhe retorika e nxehtë gjatë gjithë periudhës së raportimit nënvizuan mjedisin e brishtë në terren. Ngjarjet e 31 korrikut në veri të Kosovës si përgjigje ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës për lirinë e lëvizjes shënuan një përshkallëzim serioz, duke e çuar situatën në prag të konfrontimit me pasoja potencialisht të rënda të sigurisë”, thuhet në raportin e Guterres.
Ai tha se “qetësia ka mbizotëruar pas angazhimeve të gjera diplomatike”, duke theksuar se “rëndësia e përmbajtjes dhe përkushtimit ndaj dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nuk mund të nënvlerësohet”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përgëzoi angazhimin diplomatik të SHBA-së dhe BE-së si kyç për qetësimin e situatës, si dhe aktivitetet e KFOR-it dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, të cilat ndihmuan në ruajtjen e qetësisë dhe stabiliteti.
“Zhvillimet e 31 korrikut nxorën në pah edhe rreziqet e paraqitura edhe nga dezinformatat për të kontribuar në retorikën përshkallëzuese dhe tensionet. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që komunikimi përmes të gjitha kanaleve të jetë përgjegjës për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit të ri”, thuhet në raport.
Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë do të diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të planifikuar për më 18 tetor, njoftoi televizioni shtetëror serb (RTS).

Back to top button