Raporti: Parregullsi në bankinat e rrugës “Struma”

Bankinat në rrugën “Struma” nuk janë vendosur sipas kërkesës dhe rregullores, sipas një inspektimi ndërkombëtar që është bërë me kërkesë të Institutit Bullgar për Siguri Rrugore, përcjell Tv21.
Madje, sipas raportit, në vendin e aksidentit është ndërruar rrethoja mbrojtëse, respektivisht bankina. Ndërsa, qysh në shtator ka pasur mungesë të një shenje, por edhe sinjalizim të keq në rrugë.
“Në këtë pjesë të magjistrales ka pasur mbi 200 aksidente trafiku. Pas aksidenteve, rrethoja mbrojtëse është dashur të zëvendësohet me një të re, por nuk është zëvendësuar në mënyrë cilësore. Kjo mbrojtëse nuk mund të përballojë goditje”, ka thënë Emil Markov, ekspert në Institutin për Siguri Rrugore.
Raporti është duke u përgatitur dhe në ditët në vijim do t’u dorëzohet organeve kompetente.
Kujtojmë që, një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, në mëngjesin e 23 nëntorit ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë./21Media

Back to top button