Rashkaj thirrje lojtarëve të rinj: Pranojeni sa më shpejtë Kosovën sepse nuk do të luteni më
Ish-kapiteni i Kombëtares së Kosovës Anel Rashkaj është ndalur të flas rreth hapave nëpër të cilët po kalon skuadra e trajnerit Bernard Challandes dhe zhvillimin e saj duke e krahasuar me kohën kur ai ishte pjesë e kombëtares.
Në një intervistë, Rashkaj ka b֝ërë një krahasim ndërmjet organikës aktuale të ekipit me atë kur ai ishte duke luajtur.
Ai thotë se në kohën e tij skuadra kishte probleme, sidomos në repartin e mesfushës, problem ky i cili, sipas tij, tashmë është eliminuar me ardhjen e lojtarëve të rinj.
”Ne kemi pasur pak probleme me lojtarë në mesfushë dhe shkaku ka qenë që më së shumti që kanë luajtur kanë qenë Shaka dhe Kryeziu por ata kanë qenë një kohë të gjatë të lënduar, nuk kanë qenë edhe shumë me kombëtare dhe pastaj janë larguar kështu që nuk ka pasur edhe shumë mesfushorë por mendoj që një hap shumë i mirë është bërë me Dresheviçin..ka kontribuar jashtëzakonisht shumë…Mendoj që Loshaj ka luajtur shumë mirë kundër Spanjës, tani e kemi edhe Domgjonin që ka pranuar të luajë për Kosovën dhe mendoj që konkurrenca është në rritje e sipër”, ka thënë Rashkaj.
Rashkaj po ashtu ka folur edhe rreth punës së trajnerit zviceran, Bernard Challandes me Kosovën e cila sipas tij duhet të ndahet në dy pjesë, në atë para dhe pas pandemisë.
”Mendoj që unë e kisha ndarë në dy pjesë. Pjesën e parë që ka qenë një periudhë shumë e mirë, mendoj që në Ligën e Kombeve e fituam grupin, shkuam në kualifikim në gjysmëfinale pastaj e kishim grupin në kualifikime me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë, Malin e Zi ku treguam me të vërtetë lojë të mira dhe patëm rezultate të mira. Pastaj ka ardhur një periudhe shumë e vështirë edhe për trajnerin edhe për të gjithë sidomos kjo puna e pandemisë na ka shkaktuar shumë probleme duke e ditur që lojtarët më të mirë nuk kanë mundur të luajnë në disa ndeshje shumë të rëndësishme…Tani mendoj që pas asaj periudhe pak më të vështirë mendoj që trajneri e ka marr një hap shumë të mirë dhe më ka pëlqyer shumë kjo puna e ndryshimit të mentalitetit…Ka qenë koha që lojtarët ta ndryshojnë pak mentalitetin dhe të vije pak më shumë konkurencë në ekip dhe çdo lojtar ta kuptojë që nuk e ka vendin të sigurt në kombëtare”, ka thënë tutje Rashkaj.
Ish-kapiteni i ”Dardanëve” u tregua i ashpër kur foli për lojtarët e rinj kosovarë që luajnë nëpër klubet evropiane duke i paralajmëruar ata që ta zgjedhin Kosovën para shteteve të tjera sepse niveli i kualiteteve të Kosova po rritet me shpejtësi dhe se ata nuk do të luten më.
Kujtojmë që, Anel Rashkaj ka mbrojtur ngjyrat e Kombëtares së Kosovës nga viti 2010 deri në vitin 2021.