Rasti i 11-vjeçares, anulohet vendimi për hedhjen e aktakuzës ndaj pesë të akuzuarve

Gjykata e Apelit e Kosovës, sot ka informuar se ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë për hedhjen e aktakuzës ndaj pesë personave të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Gjykata e Apelit, siç është potencuar në komunikatë, ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimor të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje.
Ndryshe, mbrëmë është raportuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur e ka hedhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022.
Ndërkohë, më 18 janar 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka ushtruar ankesë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së të drejtës procedurale.

Back to top button