Rasti i 4 vjeçares nga Gjakova, Vitia: Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa

(Lajm i përditësuar)

Rasti i 4 vjeçares nga Gjakova, Vitia: Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar hetim të detajuar për  vdekjen e 4 vjeçares nga Gjakova.

Vitia përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se cilido që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa pa vonesa.

“Humbja e jetës së vajzës katër vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj”, ka shkruar Vitia në Facebook.


Avokati i Popullit  ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e fëmijës 4 vjeç nga Gjakova.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të zhvilloj hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitorojё atë nga afër dhe nё vazhdimësi nё mënyrë qё tё siguroj se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj. “, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“E drejta në jetë është një e drejtë universale për të gjitha qeniet njerëzore, dhe si e tillë mbrohet me Kushtetutë dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Të drejtat e tjera të njeriut ekzistojnë vetëm kur ekziston e drejta për jetën. Mbrojtja e jetës së fëmijës është detyrimi kryesor për çdo person, institucion apo organ tjetër. Marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.”, thuhet në njoftim.


Spitali i Gjakovës reagon për vdekjen e 4 vjeçares

Spitali i Gjakovës, “Isa Grezda” ka njoftuar se Policia e Kosovës dhe Prokuoria kanë filluar hetimet lidhur me rastin e vdekjes së 4 vjeçares.

Sipas njoftimit me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë.

“Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. “, thuhet në njoftim

“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.
Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen.”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button