Rasti i shkrepjes me armë në Shtërpcë, policia arreston të dyshuarin

Sot rreth mesditës policia ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Viti e Ulët të Shtërpcës. Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli tha për portalin rtv21.tv se menjëherë pas këtyre informacioneve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe ta arrestojnë.

“Me datën 09.03.2024 rreth orës 12:00 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Biti e Ulët të Shtërpcës ka të shtëna me armë zjarri . Menjëherë në atë drejtim janë nisur ekipet e policisë të cilët kanë arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin N.N (M/K) i moshës 68 vjeçar, i cili në afërsi të një shtëpie kishte shtënë në ajër me armë zjarri, duke shkrepur dy fishekë”, ka thënë Veseli për portalin rtv21.tv.

I njëjti me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura hetimore dhe i janë sekuestruar arma e zjarrit dhe 33 fishekë.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtërpcë dhe është testuar me alkooltest, ku ka rezultuar me 0.62 promila. Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedua tjera hetimore, ndërsa arma e zjarrit (pistoletë) dhe 33 fishekë janë sekuestruar”, ka thënë Kanun Veseli.

Rasti në fjalë është cilësuar si ” Përdorimi i armës së zjarrit dhe armëmbajtje pa leje”

Lidhur me këtë rast sot ditës ka reaguar politikani serb dhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtic, duke thënë se personi që ka shtënë me armë është nga Suhareka, dhe siç ka pretenduar Jevtic i njëjti “ka thirru terma nënçmues për banorët serbë që ishin aty”

Ai ka bërë të ditur se më 11 mars do të mbajë edhe një takim me përfaqësuesit e fshatit Biti dhe se për të martën ka thirrur një mbledhje urgjente të Komisionit për Siguri.

“Publiku do të njoftohet për të gjitha detajet dhe hapat e ardhshëm pas këtyre takimeve”, thuhet në reagimin e Jevtic./21Media

Back to top button