Reagime pas sulmit fizik ndaj Rifat Bllatës
KGjK: Sulmi ndaj Rifat Bllatës, sulm ndaj drejtësisë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dënon ashpër sulmin fizik ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, Rifat Bllata. Këshilli nëpërmjet një reagimi ka shprehur shqetësimin për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit mbikëqyrës, Bllata, e që ndërlidhet me punën e tij zyrtare.
“Këshilli, është i shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit mbikëqyrës, z.Bllata, e që ndërlidhet me punën e tij zyrtare. Aktet e tilla të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve janë të pa tolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht. Këto sulme, nuk paraqesin vetëm ndërhyrje në parimin fundamental të pavarësisë së sistemit gjyqësor, por njëkohësisht edhe shkelje ligjore. Andaj, sulme të tilla ndaj sistemit gjyqësor dhe KGjK-së paraqesin shqetësim serioz. Këshilli qëndron fuqishëm pranë gjyqtarëve, i mbështet në punën e tyre të pavarur dhe i inkurajon në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor dhe fton organet kompetente që të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura rreth këtij rasti dhe njëherit zotohet në jetësimin e misionit të institucioneve gjyqësore për të siguruar rend dhe ligj në Republikën e Kosovës.”, thuhet në reagim.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar fuqishëm sulmin fizik ndaj Bllatës. IKD ka reaguar për këtë rast dhe rastet e tjera të dhunës së ushtruar ndaj bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, kur ato ndërlidhen me punët e tyre zyrtare.
“Të gjitha pakënaqësitë eventuale të të gjitha palëve në procedurë, duhet të adresohen përmes rrugës ligjore dhe vetëgjyqësia në këto raste është e papranueshme dhe ndikon në pavarësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke paraqitur kërcënim të drejtpërdrejt dhe ndërhyrje në punën e gjykatësit. IKD kërkon që ky rast i sulmit ndaj gjykatësit mbikëqyrës Rifat Bllata të trajtohet me prioritet nga të gjitha organet kompetente, dhe sulmuesi do të nxirret shumë shpejt para organeve të drejtësisë. Vetëm duke pasur funksionim të mirëfilltë të sistemit të drejtësisë, sistemit gjyqësor dhe prokurorial, duke qenë të mbrojtur nga të gjitha sulmet, kërcënimet dhe ndikimet, bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale mund të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë.”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Në fund të reagimit, IKD-ja ka kërkuar prej KGJK-së dhe KPK-së që të mbrojnë gjykatësit dhe prokurorët në të gjitha rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve të kësaj natyre, për t’iu mundësuar gjykatësve dhe prokurorëve përmbushjen e misionit të tyre.
Portali rtv21.tv, ka kontaktuar dje me zëdhënësin e policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Ai ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari për sulmin./21Media