Reagoi Vlora Çitaku rreth (mos) njohjes nga Xhamajka

“Çdo gjë do të sqarohet me kohë”

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku sonte reagoi pas mohimit të lajmit se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Çitaku përmes një shkrimi në facebook theksoi se lidhur me rastin e Xhamajkës janë të përfshira shumë palë dhe se sipas saj, gjithçka do të sqarohet me kohë.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë.”, shkroi ndër të tjera Çitaku në facebook.

Deri tani ambasadorja Çitaku nuk u deklarua për (mos) njohjen e Xhamajkës, derisa nga zyra e Presidentit Hashim Thaçi, si dhe ministri i punëve të jashtme dhe i diasporës, Glauk Konjufca dje theksuan se lajmi për njohjen e Kosovës nga Xhamajka ka ardhur nga ambasadorja Vlora Çitaku.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith reagoi dje në Twitter, duke shkruar se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën./21Media

Back to top button