Reagon Molliqaj: Mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë një reagim pas arrestimit si rezultat i një aktiviteti të këtij subjekti politik pranë vendit ku po mbante konferencë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Molliqaj, me anë të një postimi në “Facebook”, ka vlerësuar se mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës, derisa ka shtuar se ata që nuk e mbrojnë, marrin pozicion kundër Ushtrisë Çlirimtare.
“Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin. Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka shkruar Molliqaj.
Ndërkaq, sipas tij dhuna e ushtruar është “dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar”.
“Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar. Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë”, ka shkruar tutje ai.
Dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hyrë sot në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova me fishkëllima, duke e kundërshtuar punën e kësaj gjykate dhe duke thënë që nuk mund të lejojnë të raportojë në heshtje.
Trendafilova ka reaguar duke thënë se nuk e ka kuptuar se çfarë kanë kërkuar aktivistët./21Media 

Back to top button