Reagon Nagavci pas incidenti në Shipashnicë të Kamenicës

 

Pas incidentit të sotëm në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës, me ç’rast policia e Kosovës ka ndërhyrë kundër banorëve të fshatit, të cilët e bllokuan derën e hyrjes së shkollës për të mos e lejuar futjen e invertarit për fëmijët parashkollorë, ka reaguar Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.

Ajo ka shprehur shqetësim për këtë rast, teksa ka treguar se tashmë ka kontaktuar me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla nga i cili është njoftuar se Inspektorati Policor tashmë ka nisur me hetime nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror. Sado që ka qëllime tendencioze, e vërteta është se ne nuk kemi ndërhyrë në situatën e krijuar në mes të komunës dhe banorëve në asnjë rast. Por respektojmë të drejtën e qytetarëve dhe mendojmë se askush nuk ka të drejtë të tejkalojë kompetencat aq më tepër kur në këtë mes janë fëmijët”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Tutje ajo ka përsëritur se çdo fëmijë ka të drejtën e shkollimit dhe se nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë.

“Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve. Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Ndryshe, MASHTI në prill të këtij viti mori vendim për organizim të përshpejtuar të mësimit për 441 nxënës në Kamenicë, të cilët për pothuajse dy vjet nuk janë pjesë e sistemit edukativo arsimor, për shkak të reformave arsimore./21Media 

Back to top button