Reagon Policia për stacionin e ri në Zubin-Potok: I shërben tërë komunitetit të zonës

Policia e Kosovës ka thënë se stacioni i ri në Zubin-Potok do t’u shërbejë qytetarëve të zonës.

Në një komunikatë për media, Policia ka kundërshtuar pretendimet të Listës Serbe se stacioni i ri policor në Zubin-Potok ka për qëllim vënien në presion të qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

Policia ka thënë se ndër objektivat strategjike të saj janë qëllimi dhe krijimi i kushteve e ofrimi i shërbimeve më të mira e të lehta ndaj qytetarëve. Policia ka thënë se objekti aktual i stacionit policor në Zubin-Potok është privat dhe nuk i plotëson kushtet për ofrim të shërbimeve.

Policia po ashtu ka publikuar të gjitha hapat proceduralë e ligjorë që ka marrë deri në pajisjen me leje ndërtimore javën e shkuar.

“Stacioni Policor dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty (Zubin Potok), do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Sot gjatë ditës Lista Serbe ka shkruar në Facebook se njoftimi për ndërtimin e stacionit policor afër shkollës dhe çerdhes në këtë komunë ka shkaktuar “pakënaqësi te qytetarët në veri” dhe se “është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj serbëve”./21Media

Back to top button